Fotografoi fletën e votimit dhe më pas e publikoi në rrjete sociale, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë

TIRANË- Një 34-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme në Tiranë. Arrestimi i 34-vjeçari ka ardhur pasi ai ka fotografuar fletën e votimit dhe më pas e ka publikuar në rrjetet sociale.

I arrestuari akuzohet për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë;

Tiranë/ Fotografoi fletën e votimit dhe më pas e publikoi atë në rrjete sociale, arrestohet 34-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas shfaqjes së një postimi në një portal ku një shtetas kishte publikuar fotografimin e fletës së votimit, organizuan punën, identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin R. F., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.

Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se ky shtetas ditën e sotme, ka fotografuar fletën e votimit, dhe më pas e ka publikuar në rrjetet sociale. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.