Fluks i lartë në Morinë, mbi 35 mijë kalime në ditë!

Këtë të shtunë pika kufitare e Morinit u përball me fluks të lartë qytetarësh dhe mjetesh, pavarësisht procedurës së thjeshtuar për targat e Shqipërisë e Kosovës.

Fluksi i lartë krijoi herë pas here kolona të gjata deri thellë në territorin e Kosovës.

Ndërsa një pjesë e qytetarëve të Kosovës po kthehen nga pushimet drejt vendeve ku jetojnë e punojnë, ndërkohë pjesa tjetër po niset drejt bregdetit shqiptar.

Ngarkesa në kufij është e pranishme pothuajse çdo ditë, por rëndohet më shumë gjatë fundjavave.

Mësohet se mesatarja ditore i kalon 35 mijë shtetas si në hyrje ashtu edhe në dalje nga Shqipëria.