Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”.
Me këtë fjali dhe zërin e ngadaltë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha njoftoi largimin nga grupi i deputetëve të PD-së, të ish-kryetarit dhe themeluesit të kësaj force politike.
Basha e pranoi se shkak për këtë ishte bërë shpallja non grata e ish-kryeministrit nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Nga ana ime prej dy muajsh e gjysmë kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje. Partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pacenueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë, në interes të demokratëve, në interes të së ardhmes së Shqipërisë.
Me përkrahjen e SHBA, PD ka siguruar arritjet më të rëndësishme të saj në qeverisjen e vendit, nga të cilat kanë përfituar qytetarët shqiptarë. Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë. Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen” – tha Basha.