Kombi nordik, i cili ndan një kufi me Rusinë , aplikoi për t’u bashkuar me aleancën ushtarake pas pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin vitin e kaluar.
Është zgjerimi i parë i NATO-s që nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në aleancë në vitin 2020.
Njoftimi u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se masa do ta bëjë Finlandën dhe anëtarët e tjerë “më të sigurt”.
“Ne do të ngremë flamurin finlandez për herë të parë këtu në selinë e NATO-s. Do të jetë një ditë e mirë për sigurinë e Finlandës, për sigurinë nordike dhe për NATO-n në tërësi,” u tha ai gazetarëve në Bruksel.
Turqia ishte e fundit nga 30 anëtarët e NATO-s që pranoi kërkesën e Finlandës muajin e kaluar.
Presidenti i vendit Rexhep Tajip Erdogan tha më herët në mars se Finlanda kishte siguruar bekimin e Turqisë pasi kishte ndërmarrë hapa konkretë për të mbajtur premtimet për të goditur grupet e konsideruara nga Ankaraja si terroriste.
Megjithatë, Turqia ende po bllokon miratimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO , me qeverinë që thotë se Stokholmi deri më tani nuk ka arritur të godasë mjaftueshëm grupe të ngjashme.
