Fëmijës i ngec dora në tubin e pishinës, shpëtohet nga zjarrfikësit

Një ngjarje e cila mund të kishte pasoja edhe më të rënda ka ndodhur ditën e djeshme në Shkodër.

Bëhet me dije për mediat se një fëmijë 10-vjeçar është bllokuar pasi i ngeci dora në tubin e pishinës, ku kishte për të kaluar disa orë të të nxehtit.

Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve të qytetit, të cilët kanë arritur ta lirojnë djalin pa asnjë dëmtim në krah duke e dërguar më pas në spital.

Teksa fëmija është larguar me barelë, teksa në dorë ka patur ende një pjesë të tubit. Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka falenderuar zjarrfikësit në një postim në Facebook.

“Dua të falenderoj nga zemra ekipin e zjarrfikësve të bashkisë sonë dhe asaj të Vaut të Dejës!

Dita e sotme nuk ka qenë e lehtë për punonjësit e zjarrfikëses. Pas angazhimeve në shuarjen e zjarreve në dy zona, pasditja i ka gjetur në një tjetër situatë të vështirë. Një djalë 10 vjeçar ka mbetur i bllokuar në një nga pishinat e një biznesi privat. Dora e tij ka mbetur e bllokuar në tubin fundor të pishinës, ku forcat e zjarrfikëses kanë ndërhyrë për të zbrazur në kohë pishinën, si dhe për të nxjerrë fëmijën pa dëmtuar krahun e tij. Falë punës e sacrificës së tyre, sot kanë arritur të fitojnë në emër të jetës! Faleminderit shumë, të gjithëve”, është shprehur ai.