“Në 1-vjetorin e ndarjes së parakohshme nga jeta, pata sot nderin të vlerësoj me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, ish-deputetin, ish-ministrin e Punës dhe ish-kryebashkiakun e paharruar të Elbasanit, Engjëll Dakli”.
Kështu e ka cilësuar të hënën e 6 dhjetorit Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Engëll Daklin, i cili u nda nga jeta një vit më parë për shkak të virusit vdekjeprurës COVID-19.
“Në 1-vjetorin e ndarjes së parakohshme nga jeta, pata sot nderin të vlerësoj me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, ish-deputetin, ish-ministrin e Punës dhe ish-kryebashkiakun e paharruar të Elbasanit, Engjëll Dakli, që me aq pasion dhe përkushtim punoi për modernizimin e qeverisjes vendore të qytetit të tij të lindjes.
Përfaqësues dinjitoz i një familjeje fisnike me tradita qytetare dhe demokratike, Engjëll Dakli do të kujtohet përherë me nder, respekt e mirënjohje, si një qytetar model dhe i përkushtuar, intelektual kalibri, pedagog i shkëlqyer dhe mbi të gjitha si një nëpunës i ndershëm i shtetit, shembull frymëzimi për politikanët dhe zyrtarët e administratës së gjeneratave të reja”.
Engjëll Dakli ka mbajtur postin e kryetarit të bashkisë Elbasan në vitet 1996-2000. Gjatë angazhimit në politikë, Engjëll Dakli ka mbajtur pozicione kyce, mes të cilave kryetar i delegacionit kuvendor shqiptar në asamblenë parlamentare të Detit te Zi, ndërsa nga viti 1994 e deri në 1996 ka qenë ministër i Punës dhe Përkrahjes Sociale dhe ish- të Përndjekurve Politike, deri kur mori mandatin e kryebashkiakut të Elbasanit. Më pas, Dakli deri në 2007 ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Elbasanit, përfaqesues i PD dhe pas një shkëputjeje nga politika u angazhua në kërkime urbanistike në organizata ndërkombëtare, në fushën e tij si inxhinier. Bashkia Elbasan i ka dhënë titulli “Qytetar Nderi” z. Engjëll Dakli me motivacionin “Për kontribute të shquara si Kryetar i Bashkisë Elbasan në vitet 1996-2000 për modernizimin e qeverisjes vendore dhe për projekte për zhvillimin rajonal të Elbasanit.
