Elta Balla: “Nisi si një shaka… por ja ku jam sot”/ Vajza që ka mbaruar studimet për matematikë, por zgjodhi të bëhej taksiste

Mbasditen e sotme në emisionin “Rudina” në Tv Klan kanë qenë të ftuara 4 vajza të reja, të cilat ushtrojnë profesione që jemi mësuar t’i shohim më shumë tek meshkujt.

Njëra prej tyre quhet Elta Balla, 24 vjeçe, e cila punon si taksiste prej gati 3 muajsh. Ajo është shprehur  se nisja e kësaj pune nuk ka qenë shumë vështirë për të, pasi ka pasur një staf të mirëkuptueshëm dhe mbështetës.

Elta Balla i ka mbaruar studimet për matematikë, por nuk e shikonte veten në të ardhmen si mësuese. Sipas saj, puna si taksiste “nisi si shaka” mes shokëve dhe familjarëve, kur udhëtonte me orare të zgjatura, por që sot nuk është e tillë.

Rudina Magjistari: Elta, ti pak muaj ke që ke nisur të jesh si taksiste, është e gjithë kompania juaj me vajza, apo jeni disa prej jush? Si funksionon?

Elta Balla: Kompania jonë “Blue Taxi”, është e para kompani që vendosi femra taksiste. Jemi pak, po shtohemi dita-ditës. Rruga ka qenë shumë e lehtë, stafi jonë është shumë i mirëkuptueshëm, për mua nuk ka qenë aspak e vështirë.

Rudina Magjistare: Po herët me çfarë je marrë?

Elta Balla: Unë kam mbaruar studimet për matematikë, kam punuar punë të ndryshme.

Rudina Magjistare: Për matematikë?

Elta Balla: Po, por nuk e shikoj veten në mësimdhënie. Kam punuar punë nga më të ndryshmet. Kam bërë edhe një shkollë 1-vjeçare për kuzhinë, nuk e pashë veten as aty. Pasioni për timonin, për të udhëtuar më tepër, duke udhëtuar me orare të zgjatura me miq dhe me shokë dhe me familjen. Nisi si shaka. “Taksistja jonë, taksistja jonë”, dhe ja ku jemi sot, taksiste. Duke qenë që ka të ardhura dhe janë shumë interesante shprehitë e njerëzve. Akoma habiten, në çdo moment të ditës.