Elbasani klimatikisht neutral në 2030? Objektivat pa buxhete rrezikojnë të mbeten në letër

Elbasani është një nga qytetet shqiptare që është përfshirë në Misionin e Bashkimit Evropian për Qytetet Klimatikisht Neutrale dhe të Zgjuara. Në Plani i veprimit per Neutralitetin klimatik (2), Bashkia ka marrë angazhimin që deri në vitin 2030 të ulë me 80% emetimet e gazeve serrë, krahasuar me vitin bazë 2015.

Objektivi përkthehet në një reduktim prej rreth 111 mijë ton CO₂ në vit, i cili synohet të arrihet përmes 34 ndërhyrjeve strategjike në sektorët e energjisë, industrisë, transportit, ndërtesave, mbetjeve dhe hapësirave të gjelbra.

Por sa realist është ky objektiv?

Analiza e Kontratës Klimatike tregon se, ndonëse dokumenti paraqet një vizion ambicioz për transformimin e qytetit, vetë ai pranon kufizime të rëndësishme financiare, teknike dhe institucionale që mund ta bëjnë shumë të vështirë realizimin e tij deri në vitin 2030.

Një transformim që kushton 444.57 milionë euro

Sipas dokumentit, realizimi i të gjitha masave kërkon një investim prej 444.57 milionë eurosh. Pikërisht kjo është edhe sfida më e madhe.

Në raport pranohet se Bashkia e Elbasanit nuk ka kapacitetet financiare për të përballuar një investim të tillë. Financimi pritet të vijë kryesisht nga qeveria shqiptare, Bashkimi Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe sektori privat.

Kjo do të thotë se realizimi i objektivit nuk varet vetëm nga administrata vendore, por nga një zinxhir aktorësh dhe investimesh që Bashkia nuk i kontrollon drejtpërdrejt.

Në thelb, dokumenti pranon se neutraliteti klimatik nuk do të arrihet përmes dhjetëra projekteve të vogla komunale, por nga disa investime shumë të mëdha, shumica ende të pasiguruara financiarisht.

Pesha vendimtare e KURUM-it

Analiza tregon se një pjesë shumë e madhe e suksesit të planit mbështetet te transformimi i industrisë metalurgjike.

Dokumenti e identifikon zonën metalurgjike si burimin më të madh individual të emetimeve të gazeve serrë, ndërsa kompania KURUM paraqitet si aktori kryesor i procesit të dekarbonizimit.

Plani parashikon investime në teknologjinë MIDA, kalimin drejt prodhimit të “Green Steel”, modernizimin e proceseve industriale, uljen e konsumit të energjisë, eliminimin e ngrohjes së billet-it dhe përmirësimin e sistemit të riciklimit të metaleve.

Nëse këto masa realizohen sipas planifikimit, reduktimi i pritshëm është 76,180 ton CO₂ në vit.

Nga ana financiare, dokumenti llogarit një investim prej 125 milionë euro CAPEX dhe 18.75 milionë euro OPEX në vit, çka e bën këtë projekt ndër investimet industriale më të mëdha të parashikuara në Kontratën Klimatike.

Në praktikë, kjo do të thotë se më shumë se gjysma e objektivit total të Elbasanit varet nga realizimi me sukses i një investimi privat.

Çdo vonesë apo mosrealizim i këtij projekti do të ndikonte drejtpërdrejt në arritjen e objektivit të vitit 2030.

Beqir Kila: Nuk mjafton vetëm modernizimi i KURUM-it

Eksperti i mjedisit Beqir Kila vlerëson se modernizimi i KURUM-it është një zhvillim pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të ndryshuar bilancin e ndotjes në Elbasan.

Sipas tij, industria e rëndë nuk përfaqësohet vetëm nga KURUM, por edhe nga dy fabrikat e ferrokromit dhe subjekte të tjera industriale që vazhdojnë të çlirojnë ndotës në atmosferë.

Kila ngre edhe disa probleme të tjera që, sipas tij, nuk marrin zgjidhje të plotë në dokument.

“Transporti publik vazhdon të funksionojë me mjete të amortizuara, infrastruktura rrugore mbetet problematike, ndërsa monitorimi i cilësisë së ajrit është ende i pamjaftueshëm”.

Sipas tij, pesë aparaturat që duhet të monitoronin ndotjen nuk kanë funksionuar siç duhet dhe qytetarët nuk kanë pasur kurrë një pasqyrë të plotë mbi nivelin real të ndotjes.

Eksperti paralajmëron gjithashtu për një sfidë që pritet të shfaqet në vitet e ardhshme: mungesën e një strategjie kombëtare për grumbullimin dhe riciklimin e baterive dhe paneleve diellore pas përfundimit të jetës së tyre.

“Përndryshe,” argumenton ai, “rrezikojmë të zëvendësojmë një problem mjedisor me një tjetër.”

Ahmet Mehmeti: Nuk mund të mbrojmë klimën duke humbur pyjet

Një tjetër pikë që nuk trajtohet gjerësisht në Kontratën Klimatike lidhet me ndikimin që mund të kenë investimet në energjinë diellore mbi sipërfaqet pyjore dhe kullotat.

Inxhinieri i pyjeve Ahmet Mehmeti vlerëson se zhvillimi i energjisë së rinovueshme është i domosdoshëm, por mënyra se si po zbatohen disa projekte mund të krijojë një kontradiktë me vetë objektivin e neutralitetit klimatik.

Sipas tij, ndërtimi i parqeve fotovoltaike, rrugëve shoqëruese, strukturave mbështetëse dhe ndërhyrjeve të tjera mbi pyje dhe kullota redukton sipërfaqet që përthithin natyrshëm karbonin.

“Pyjet dhe kullotat nuk janë thjesht sipërfaqe të lira për investime. Ato janë rezervuarët natyrorë të karbonit dhe një element kyç për përballimin e ndryshimeve klimatike,” argumenton Mehmeti.

Ai thekson se çdo hektar pyll i humbur ul aftësinë e territorit për të kompensuar emetimet e karbonit dhe se investimet në energjinë e pastër duhet të orientohen drejt zonave të degraduara, ish-zonave industriale apo çative të ndërtesave, duke shmangur ndërhyrjet në ekosistemet natyrore.

Sipas tij, nëse energjia e rinovueshme zhvillohet në kurriz të pyjeve, qyteti mund të fitojë kapacitete të reja prodhuese, por njëkohësisht të humbasë një nga mekanizmat më efikasë për thithjen natyrore të CO₂.

Vetë dokumenti pranon mungesën e të dhënave

Një nga elementët më interesantë të Kontratës Klimatike është se ajo nuk fsheh dobësitë e saj. Dokumenti pranon se mungojnë të dhëna të sakta për konsumin e energjisë në ndërtesa, transportin, automjetet dhe mbetjet, ndërsa në disa raste janë përdorur modele vlerësimi dhe jo matje reale.

Edhe për popullsinë është përdorur një metodologji që ngre pikëpyetje.

Megjithëse Bashkia e Elbasanit ka mbi 216 mijë banorë sipas Regjistrit Civil 2024, inventari i emetimeve është ndërtuar mbi të dhënat e Censusit 2011, me 141,714 banorë, për të ruajtur krahasueshmërinë metodologjike.

Kjo mund të ndikojë në interpretimin e disa treguesve për frymë gjatë monitorimit të progresit.

“Quality Label” nuk është garanci për sukses

Marrja e EU Mission Label (Quality Label) është një njohje e rëndësishme për Elbasanin dhe tregon se Bashkimi Evropian e konsideron Kontratën Klimatike një bazë të besueshme për të vijuar transformimin drejt neutralitetit klimatik.

Megjithatë, ky vlerësim nuk certifikon arritjen e objektivave.

Përkundrazi, analiza e dokumentit tregon se suksesi do të varet nga sigurimi i 444.57 milionë eurove, realizimi i investimeve industriale, modernizimi i transportit publik, rritja e eficiencës energjetike, mbrojtja e pyjeve dhe kullotave, si dhe nga një bashkëpunim i ngushtë mes qeverisë, pushtetit vendor, biznesit dhe komunitetit.

Nëse këto hallka nuk funksionojnë në të njëjtën kohë, objektivi për një Elbasan klimatikisht neutral deri në vitin 2030 rrezikon të mbetet më shumë një vizion strategjik i bukur në letër sesa një realitet i prekshëm.

 

This story was produced with the financial support of the European Union under the SMS
Facility – Small Media Support in Western Balkans project – locally implemented by
SCIDEV. The content is the sole responsibility of the media outlet and the author, and does
not necessarily reflect the views, opinion, or values of the European Union, SCiDEV, or the
SMS Facility project.