Elbasan/ Operacioni “Terreni” godet 4 raste të shitjes së drogës dhe armëve të ftohta – 4 persona në pranga

4 nëntor 2025 – Aktualitet

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Terreni”, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në territorin e qarkut.

Si rezultat i veprimeve të koordinuara nga Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe specialistët për Hetimin e Narkotikëve, janë goditur 4 raste të shitjes së lëndëve narkotike dhe armëve të ftohta, ndërsa janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë.

Rastet e evidentuara

Në lagjen “5 Maji”, gjatë kontrollit në një automjet ku udhëtonin tre të rinj (21, 20 dhe 19 vjeç), policia gjeti sasi lënde narkotike të ndarë në doza, gati për shitje.

Në lagjen “Beqir Dardha”, u arrestua një 36-vjeçar dhe u procedua penalisht një 33-vjeçar, pasi gjatë kontrolleve iu gjetën një armë e ftohtë (thikë) dhe sasi lënde narkotike.

Ndërsa në lagjen “Partizani”, një 36-vjeçar u procedua penalisht pasi në automjetin që drejtonte u gjet një sasi e vogël lënde narkotike.

Lënda narkotike dhe arma e ftohtë u sekuestruan si prova materiale, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Elbasanit për hetime të mëtejshme.

Operacioni “Terreni” është pjesë e punës së vazhdueshme të policisë për rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme në territorin e qarkut.

Njoftimi DVP Elbasan

DVP Elbasan/Punë operative dhe operacionale, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Terreni”.
Goditen 4 raste të shitjes së Canabisit dhe armës së ftohtë.

Procedohen penalisht 6 autorët e këtyre paligjshmërive (në pranga, 4 prej tyre).

Si rezultat i monitorimit 24/7, të të gjithë territorin e qarkut, si dhe i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë policore, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të operacionit “Terreni”, goditën 3 raste të shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa dhe 1 rast të shitjes së armës së ftohtë. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste:

-u arrestuan shtetasit O. Ç., 21 vjeç, H. B., 20 vjeç dhe K. P., 19 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin me të cilin ata lëviznin në lagjen “5 Maji”, u gjet sasi lënde narkotike Cannabis Sativa e ndarë në doza gati për shitje;

-u arrestua shtetasi G. M., 36 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 33 vjeç, pasi nga kontrollet fizike, në lagjen “Beqir Dardha”, të arrestuarit iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë) që dyshohet se posedohej me qëllim shitjen, ndërsa të proceduarit iu gjet një sasi Cannabisi;

-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. S., 36 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin që drejtonte në lagjen “Partizani”, u gjet një sasi Cannabisi.

Lënda narkotike dhe arma e ftohtë, të gjetura në këto raste, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.