Elbasan/ I vuri flakën tre automjeteve, arrestohet 43-vjeçari

ELBASAN- Një 43-vjeçar është arrestuar nga policia në Elbasan, pasi dyshohet se është autor i tre rasteve të djegies së qëllimshme të automjeteve.

Operacioni policor, i koduar “Last Fire”, u finalizua nga Komisariati i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan.

Në pranga u vu shtetasi E. K., 43 vjeç, banues në Elbasan.

Sipas policisë, pas hetimeve të thelluara u dokumentua se 43-vjeçari dyshohet se më 7 gusht 2026, rreth orës 01:00, ka djegur me lëndë djegëse, konkretisht benzinë, një automjet në përdorim nga një 26-vjeçar, banues në Elbasan.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se E. K. është autor edhe i djegies së dy automjeteve të tjera, në pronësi të shtetasit E. H., ngjarje e ndodhur më 28 qershor 2026.

Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtyre ngjarjeve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.