Elbasan/ Grabiti me dhunë një grua, arrestohet 52-vjeçari

Një grua ka mbetur e dëmtuar si pasojë e një grabitjeje të dhunshme të ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku një shtetas i ka marrë me forcë çantën që përmbante para dhe një telefon celular.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ndërsa pas një aksioni të koduar “Identifikimi”, Policia ka bërë sot arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasin G.G., 52 vjeç, banues në Elbasan.

Sipas uniformave blu, vijojnë verifikimet për përfshirjen e tij në ngjarje të tjera kriminale, përmes krahasimit të pamjeve filmike, dëshmive dhe gjurmëve të siguruara.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të dyshuarit, u gjet dhe u sekuestrua çanta e grabitur. Hetimet vijojnë.

Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Identifikimi”.

I vodhi me dhunë çantën me një shumë parash, një 66-vjeçareje, në rrugë, Policia identifikon, kap dhe vë në pranga 52-vjeçarin.

Gjendet në banesën e 52-vjeçarit dhe sekuestrohet çanta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, dje, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Visarion Xhuvani”, një shtetaseje i kishin vjedhur me dhunë çantën e dorës, kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Identifikimi”, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit:

-G. F., 52 vjeç, banues në Elbasan.

Nga këqyrja e pamjeve filmike dhe nga hetimet dyshohet se ky shtetas, dje, rreth orës 09:00, në lagjen “Visarion Xhuvani”, në rrugë, i ka vjedhur me dhunë shtetases F. S., 66 vjeçe, banuese në Elbasan, çantën e dorës, në të cilën ajo kishte një shumë parash, celularin dhe disa dokumente. Si pasojë, 66-vjeçarja është dëmtuar lehtë në krah.

Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, u gjet çanta e vjedhur, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se mund të ketë kryer shtetasi G. F..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.