Ura që lidh Xibrakën e Elbasanit me 10 fshatra të tjerë po degradon dita-ditës si pasojë e kushteve atmosferike. Këmbët e urës janë gërryer, ndërsa Emergjencat e Elbasanit thanë se projekti për ndërhyrje pritet të kalojë në këshillin bashkiak.
E ndërtuar që prej vitit 1929, ura e Xibrakës që lidhur 10 fshatra me njeri tjetrin, por edhe me Librazhdin e Elbasanin, ka dalë jashtë funksionit.
Shirat e fundit dëmtuan njërën këmbë të saj, ndaj Bashkia e Elbasanit gjeti një zgjidhje të përkohshme duke e bllokuar dhe hapur një rrugë provizore anës aksit nacional Elbasan-Librazhd. Banorët thonë se rruga dytësore është tepër e rrezikshme.
“Atje është burim aksidenti pasi është vijë e pandërprerë. Edhe nuk kthen dot. Unë punoj me autobus me kalamajtë e shkollës, e kam problem të kthehem atje”.
Ata i frikësohen fatit të fëmijëve, pasi përbri rrugës gjendet shkolla e fshatit dhe shpesh këta të fundit përshkojnë këtë urë për të pirë ujë në çezmen që gjendet aty.
Emergjencat civile në Bashkinë e Elbasanit, thanë se është hartuar projekti që pritet të kalojë në këshillin bashkiak dhe së shpejti të fillojnë punimet.
