Edi Rama paralajmëron katarsis në Bashkinë e Tiranës

Gjatë fjalimit të mbajtur këtë të mërkurë në mbledhjen e organizuar në selinë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama paralajmëroi për një katarsis në bashkinë e Tiranës.

“Drejtuesja e komanduar ka bërë gjithçka ka mundur në kushtet që operon. Nevoja për të legjitimuar udhëheqjen e Bashkisë është çdo ditë e më urgjente. Mjafton të shohësh situatën dramatike me prokurimet publike që janë në nivelin më historik, apo rënien dramatike të realizimit të investimeve. Nuk mundet të presë më gjatë. Kjo, shtuar domosdoshmërisë për një proces katarsisi burimor, në kuptimin e vetëpastrimit të Bashkisë Tiranë, ashtu siç bëmë dhe po bëjmë me bashkitë e tjera, që Tirana e ka po aq të nevojshme, kërkon legjitimim të udhëheqjes së re të Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që mos kemi situata ku hapësirat publike rezultojnë të zëna nga punonjës apo nga drejtues të njësive vendore, që është një gjë e tmerrshme. Dhe ne do e adresojmë në ligjin e ri, në paketën e re që do kalojmë në qeveri, që sjell edhe ndëshkimin e rëndë penal për ata që paguhen nga taksat e qytetarëve dhe që shkelin ligjin”, tha Rama.

Mes të tjerash, ai foli edhe për transportin në Tiranë, çështje për të cilën ai u shpreh se qytetarët duan zgjidhje. Kështu, kryeministri theksoi nevojën për përmirësimin e këtij transporti jo vetëm në qendër të Tiranës, por dhe në zonat rurale të saj.

“Po ashtu qytetarët duan zgjidhje për cilësinë e transportit urban në Tiranën e madhe, jo vetëm në Bashkinë e qytetit, domethënë në pjesën urbane, por në pjesën rurale, ku ka problematika serioze për këtë punë”, tha ai.