TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dënim me burg për këdo që vjedh ujin. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e Operatorit Kombëtar të Ujit, Rama tha se e njëjta gjë siç ndodh me vjedhjen e energjisë elektrike do të ndodhë edhe me ujin.
“Çfarë po bëjmë me këtë fazë të dytë është të garantojmë në shërbimin me ujë suksesin që garantuam suksesin me shërbimin me energjinë elektrike, Si sot furnizimi me energji nuk është më problem, pasiguri, ankthe dhe alarm, ashtu të jetë në Shqipërinë 2030 furnizimin me ujin. Me këtë operator kombëtar, i cili do jetë sinergjia e 15 shoqërive ekzistuese dhe me organet e tjera ligjzbatuese, vendosjen e vijës ligjzbatuese që bashkitë nuk e vendosën asnjëherë mes atij që paguan dhe atij që vjedh ujin.
Ai që ka paguan ujin ka të gjithë të drejtën të vë kujën se pse nuk e merr ujin. Ai që e vjedh ujin të penalizohet me heqje lirie, siç ndodhi me atë që vjedhin energjinë elektrike. Siç krijuam task forcën e energjisë, do krijojmë task forcën e ujit në nivel kombëtar dhe do punojmë që të respektojmë shumicën e popullit që paguan ujin dhe meriton një shërbim më të mirë. Ky është thelbi. Nuk mundet që shumica të paguajë edhe për pakicën dhe të vuajë se pse një pakicë do të marrë qyl një mall që ka koston e vet,” tha Rama.
