Pas Shqipërisë edhe Kosova ka marrë ftesë të pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Lajmin e ka bërë me dije këtë të mërkurë presidentja Vjosa Osmani, teksa ka postuar letrën e dërguar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Osmani shprehet se Kosova qëndron si aleat i palëkundur i SHBA-ve për ta çuar paqen më tej. Ndër të tjera presidentja thekson se ‘Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë dhe kjo është ajo që po bën presidenti Trump.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt.
Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike.
Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati” shkruan Vjosa Osmani.
Më 17 janar Trump i dërgoi kryeministrit Edi Rama ftesën për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një strukturë e ideuar dhe sapokrijuar nga SHBA-të, e cila do të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës mes grupit terrorist Hamas dhe Izraelit.













