E VËRTETA e REFUGJATËVE/ Bëhet realitet gjëegjëza më e shtrenjtë në histori!

ROMË/ DHËRMI/ GJADËR– Varavingot nëpër Mesdhe (si çifutët nëpër shkretëtirë, do thoshte Zheleznovi), nga Italia në Shqipëri dhe kthim, të një anijeje luftarake italiane që djeg 100 mijë euro naftë vetëm me një rrugë, është vetëm episodi i fundit, në një histori që e ka zanafillën një ditë të nxehtë vere 2023 në vilën qeveritare të pushimit, Dhërmi, Himarë, Shqipëri.

Patronazhisti duhet të sqarojë paraprakisht se gjithçka po shohim sot, ka nisur si një bisedë gazmore dhe informale mes kolegësh, kimia e menjëhershme mes të cilëve i kapërceu jo vetëm formalitetet protokollare, por edhe krahët e kundërt politikë.

Kujt pra, do t’i shkonte në mendje se neofashistes Jorgjie Pjepri dhe post-antifashisto nacional-çlirimtaro islamo-kristiano-bektashianit Edvin K. Rama, i mbiquajtur I Gjati, do t’u ngjiste kaq shumë me njëri tjetrin?

***

Kur kryeministrja italiane vendosi gjithë hare t’i thoshte po ftesës së të Gjatit, “Pash zotin, se ke ra telef, hajde dy ditë në Dhërmi të mbledhësh kockat”, e kishte me gjysmë mendje ta merrte partnerin apo jo.

I kishte rënë në të se bashkëjetuesi, gazetar në zanat, ja dridhte pas shpine. Pasi u shfaq bashkë me të në Dhërmi – plus ca miq të tjerë – Jorgjia i tha veçmas Të Gjatit:

“E mora me vete pushtin se ma dredh; po ta lija andej dhe të vija vetëm, pastaj do të duhej të çoja një truprojë karabinierësh ta merrnin e të ktheheshin sërish; pastaj ai do mbetej në Dhërmi, unë do kthehesha në Romë, se kam mbledhje qeverie… lërë lëre, lëmsh kjo punë”.

I Gjati qeshi: “Jorgjica, e ke bo fiks si ajo gjëegjëza e çobanit me dy dele dhe një ujk, që nuk dinte si ta kalonte lumin e enjë varkë të vogël, pa ja hongër ujku delet!”

Dy miqtë u gajasën, pastaj Jorgjia u kujtua:

“Ka edhe më keq! Kishim pak kohë më parë një anije me refugjatë të përzier, afganë, irakenë, libianë dhe pakistanezë. Do t’i çonim nga Lampeduza në Bari, pastaj në Romë. Mirëpo afganët zihen me pakistanezët, libianët nuk shohin dot më sy irakenët. Si t’ja bënim? Ço një palë, kthe një palë tjetër… nuk e gjetëm dot zgjidhjen. Refugjatët sot e kësaj dite bëjnë vajtje-ardhje me grafik.”

Aty I Gjati i veshi portretit të vet një mimikë keqardhjeje nga ato që di ai.

“Mooos! Pse moj vajzë je torturuar? Të më kishe pyetur mua. Bile-bile, t’i kishe sjellë tek unë në ndonjë port ktej nga veriu, se jugun e kemi për turizëm. Në Shëngjin për shembull. Ne çojmë e marrim dele e ujqër me varkë, e jo më refugjatë me anije moderne”.

***

Kjo ishte zanafilla modeste e lidhjes së marrëveshjes së famshme në gjithë botën.

Gjithë kryeministrat e Europës u ndërgjegjësuan se përveçse ishte I Gjatë dhe vizatonte, I Gjati kishte dhe plot virtute të tjera, siç është sjellja e padëmtuar e deleve nga njëri breg i lumit në tjetrin, pavarësisht nga prania kërcënuese e ujkut.

Prova e parë e gjëegjëzës u bë javën e kaluar. I Gjati dhe Jorgjia sollën katër bangladeshas dhe 12 egjiptianë me një rrugë.

Plani ishte që egjiptianët të mbeteshin në Gjadër, bengalët të ktheheshin në Itali, të bashkoheshin me 100 indianë, të liheshin në Gjadër bashkë me 50 karabinierë, dhe me po atë rrugë të merreshin mbrapsht egjiptianët…

Por për dreq, një gjykatë italiane vendosi se varavingot duheshin ndërprerë, sepse ndryshe nga rasti i gjëegjëzës, delet në rastin konkret kishin më shumë frikë çobanin sesa ujkun.

Deri tani gjëegjëza ka kushtuar ca miliona euro, ndërsa Jorgjia megjithë përpjekjet, është ndarë nga partneri…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e bindur se me të tillë çobenj, ujqit janë bekim