E trishtë në Gramsh! Ndahet nga jeta mësuesja e dashur Suzana Shaipi, shkolla ‘Xhile Liçi’ në zi për humbjen e saj

Trishtim dhe mall në Skënderbegas. Shkolla e Mesme e Bashkuar “Xhile Liçi” ka humbur sot një nga figurat më të dashura e më të respektuara të saj, Mësuesen Suzana Shaipi, e njohur me përzemërsi nga të gjithë si “Mësuesja Zana”.

Ajo u nda papritur nga jeta, duke lënë pas një boshllëk të thellë në zemrat e kolegëve, nxënësve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin.
Me përkushtimin e saj të palodhur dhe dashurinë për arsimin, Mësuesja Suzana u bë shembull frymëzimi për breza të tërë nxënësish, duke i udhëhequr me durim, mirësi dhe pasion.

Në ambientet e shkollës sot mbizotëron heshtja dhe trishtimi, ndërsa kujtimet e saj të ngrohta, buzëqeshja dhe zëri i butë do të mbeten përgjithmonë pjesë e kësaj shkolle.

Zyra Vendore Arsimore Gramsh dhe komuniteti arsimor i Skënderbegasit i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes së Mësueses Suzana Shaipi, duke nderuar me respekt figurën dhe kontributin e saj të vyer.

Pusho në paqe, Mësuese Zana. Emri yt do të jetojë në kujtimet e të gjithëve.