E rrallë/80 vjeçari tregon si ka martuar 80 çifte me shkuesi

Xhevit Hyso është afro 80 vjeç , ka punuar gjithë jetën e tij si kovaç dhe mullixhi, por “profesioni” që e bëri të famshëm është ai i mblesit. Ai kujton se që në fillim e kishte pasion të bashkonte çifte. “E kam nisur me një histori që u prish, me kalimin e kohës më hyri në gjak kjo punë. Më përpara ishte ndryshe shikonin fisin e rrjetin e miqësisë, por tani është bërë më e vështirë, çupat tani ruajnë makinën jo shoferin.

Xheviti tregon gjithashtu se si vepron për të realizuar një bashkim: “Kur dua të futem për një çift në fillim i drejtohem prindit, kur kam një çupë zgjedh djalin në bazë të karakterit, të jetë njeri i mirë, njeri i punës, të jetë i lidhur me familjen, shikoj fisin, ka raste kur janë çik të shkalafitur, i gjej shokun e saja, se nuk shkon një i mirë të marrë një të keq, po unë i gjej afërsisht shokun secilit që të shkojnë mirë. Kur martoj çupa që janë ndarë ndjej gëzim të dyfishtë se çupa te prindi nuk ka rehat, vëllai ka familjen e tij, kunata se ka gjë, ajo lind në shtëpi të huaj dhe shkon në shtëpi të saj, ndaj sa më parë të zërë vendin aq më mirë është: “kur kalojnë nga të 30-tat, pastaj nuk vendosin më çupat”.

Në emision një çift i ri Alfrosi dhe Marsida kanë rrëfyer historinë e tyre se si Xheviti ua bëri ëndrrën realitet. Alfrosi: “njifesha me vajzën e kisha parë në shkollë, por mentaliteti i vendit, prindërit e saj nuk donin që vajza të vinte në fshat ku banoja unë. Kur Marsida ju tregoi që më donte mua, ata e bënë të pamundur. E donin vajzën ta martonin në qytet. Kur më refuzuan normalisht që nuk u ndjeva mirë dhe pyesja veten se pse nuk më duan mua. Ju drejtova xhevitit i cili më siguroi se do të shkonte në atë familje dhe martesa do të bëhej. Sot jemi të martuar dhe prindër të dy fëmijëve.”

Me kalimin e viteve situata ka ndryshuar dhe për Xhevitin puna e mblesit është bërë shumë e vështirë: “Tani gënjehen, lidhen që të vegjël në shkollë, gabohen lidhen me telefona, telefoni i prishi, nuk i tregojnë prindit. Licenca ime tani ka rënë shumë. Tani sa fejohen zëre se u martuan që ditën e parë flenë bashkë.”

Për sociologen Entela Binjaku mënyra se si një çift njihet nuk ka ndonjë rëndësi të vecantë ajo thotë se: “ ky moment i fillimit kthehet thjesht në një histori që jua tregojnë pasardhësve, ka plot raste kur fillesat mund të jenë të mbara, qofshin kur ato lidhen me mblesëri qofshin kur lidhen me njohjen reciproke, por cilësia e jetës martesore varet më shumë nga elementë të tjerë dhe jo nga mënyra si janë njohur. Një nga gjërat e mira që shoh në të shkuarën është besimi që shoqëria shqiptare kishte tek martesa. Tani numri i martesave ka rënë sepse njerëzit besojnë më pak tek ajo, mosbesimi ka ardhur si pasojë e historive të shumta të martesave të palumtura”.