Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Prishtinë, ku prindërit dyshohet se kanë dhunuar dhe keqtrajtuar djalin e tyre vetëm 5 vjeç.
I mituri është dërguar ditën e djeshme në klinikën e pediatrisë në Prishtinë, ndërsa prindërit janë ndaluar nga policia dhe ndaj tyre është caktuar një muaj paraburgim.
Dyshohet se prindërit ushtronin dhunë sistematike ndaj djalit të tyre të mitur, ndërsa dyshohet se i kanë prerë edhe gishtat e këmbës.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Pediatria, e cila njofton se është në kujdesin intensive dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.
“Klinika e Pediatrisë ju njoftojn se pacienti 5 vjeç, i hospitalizuar aktualisht në Kujdesin Intensiv Pediatrik, sot i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.
Intervenimi sapo ka përfunduar dhe është realizuar sipas indikacioneve mjekësore. Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile.
Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ky është informacioni që aktualisht mund të ofrohet. Për çdo përditësim të mëtejmë lidhur me gjendjen e pacientit, mediat dhe publiku do të njoftohen në vijim vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së.
Njëkohësisht, theksojmë se ekipet profesionale shëndetësore janë duke ofruar përkujdesje maksimale dhe trajtimin e nevojshëm në përputhje me protokollet mjekësore. Për këtë arsye, lusim mediat që të kenë mirëkuptim dhe të shmangin presionet për informata shtesë, kërkesa për intervista apo forma të tjera të komunikimit të drejtpërdrejtë, pasi çdo informacion zyrtar nga Klinika e Pediatrisë do të përcillet vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së”-njofton spitali.
Prindërit A.K. dhe V.P. dyshohen për veprat penale Shkelja e detyrimeve familjare dhe Lëndim i rëndë trupor.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, andaj aprovoj kërkesën e PTHP-së, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.K. dhe V.P, ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në njoftim.













