Ajana Ciko, prej vitesh aktiviste, e ftuar në Podcast diskuton tema të rëndësishme lidhur me kufizimet që i bëhen në përditshmërinë e saj si një individ me aftësi ndryshe.
Ajo foli mbi rëndësinë e angazhimit të saj në teatër, ku pati një rol shumë domethënës, në shfaqjen “Hidhur” që u vendos në skenën e teatrit “Skampa” pak kohë më parë.
“Si një eksperiencë e re për mua, fillimisht kisha dyshimet e mia. Po vija në skenë një rol që më prekte mua si individ e peshonte në shpatullat e mia, pasi është realiteti im”- u shpreh Ajana.
Në rolin e punëkërkueses me aftësi të veçanta, kërkesat për punësim i refuzoheshin e kjo për shkak të çrregullimit fizik, që sipas Ajanës është pjesë e ralitetit që jeton çdo ditë.
“Është realisht e vështirë të gjesh punë, pasi refuzohesh duke u paragjykuar për pamjen fizike. Kjo shfaqje kishte në fokus goditjen e sistemit dhe realisht prek çdokënd që vuan paragjykimet për shkak të aftësive ndryshe”- tha ajo.
Ajana foli po ashtu edhe për gjithë “suportuestit”, pjestarë të organizatave të ndryshme që sipas saj, në takime dhe aktivitete i mbështesin individët me nevoja të veçanta ndërsa në përfundim të tyre janë të parët që diskriminojnë.
“Kur ngrihet zëri për personat me aftësi ndryshe, të ngrihet siç duhet e jo si diçka që është për tu bërë e sat ë mbarojmë ktë aktivitetin këtu të diskriminojmë dikë. Na ka ndodhur shpesh, në fakt që pasi kemi bërë diskutime të shumta në lidhje me tema që na prekin ne si individë me nevoja të veçanta, të diskriminohemi drejtpërdrejtë nga të njëjtët persona”- u shpreh ajo.
Ajana foli edhe në lidhje me përcaktimin e termit më të përshtatshëm që emërton individët me aftësi ndryshe, ku theksoi se ‘me aftësi të kufizuara’ diskriminon dhe kufizon edhe më shumë. Sipas saj çdo individ i di kufizimet e veta, por një përcaktim i tillë sikur të mbyll portën duke të kufizuar më tepër, ndërsa thekson se duhet të zëvendësohet me ‘aftësi ndryshe’ ose ‘nevoja të veçanta’.
