ITALIA- Një 38-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Itali teksa po punonte në një arë të një ferme bujqësore mes Solarolo-s dhe Castel Bolognese-s. Mediat italiane shkruajnë se rreth orës 18:00, familjarët e tij, të shqetësuar sepse nuk kishin kontaktuar me të, shkuan ta kërkonin në vendin e punës, por fatkeqësisht, e gjetën të vdekur.
Ndërkohë, dinamika e aksidentit është ende për t’u sqaruar, por sipas hetuesve, shqiptari mund të jetë përplasur dhe shtypur për vdekje nga një traktor. Ndihma e shpejtë mbërriti në vendin e ngjarjes, por për fat të keq mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.
Në vendngjarje ndodheshin edhe inspektorët e sigurisë në punë dhe karabinierët, të cilët nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Gjithashtu mediat italiane shkruajnë se traktori është sekuestruar për hetime të mëtejshme.
