Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin e koduar “Twins”, duke arrestuar dy vëllezër të dyshuar për përfshirje në vrasjen e një shtetasi në vitin 2018 në këtë qark. Në pranga kanë rënë Kelmend Krusa dhe Klodian Krusa, të dy 39 vjeç, të cilët strehoheshin në Gjirokastër.
Gjatë kontrollit të banesave të dy vëllezërve, uniformat blu sekuestruan tre armë zjarri (dy kallashnikovë dhe një pushkë), një armë e ftohtë (thikë), tre krehëra, municion luftarak, një maskë dhe tre aparate celularë. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të verifikuar nëse janë përdorur për vrasjen e vitit 2018 ose ngjarje të tjera kriminale.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.
Strukturat hetimore të DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe për kapjen e personave të tjerë të dyshuar për këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Dibër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Twins”.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.
Të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e një shtetasi në vitin 2018, ndodhur në qarkun Dibër, kapen dhe arrestohen 2 vëllezër.
Gjatë operacionit, sekuestrohen 3 armë zjarri, municion luftarak, thikë, maskë etj.
Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më parë, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër, bazuar në hetimet e kryera për zbardhjen e një vrasjeje të ndodhur në vitin 2018, ndodhur në qarkun Dibër, ka siguruar prova se dy prej shtetasve të dyshuar të përfshirë në vrasje, strehoheshin në Gjirokastër.
Bazuar në këtë informacion, strukturat e DVP Dibër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe strukturat e DVP Gjirokastër, në kuadër të operacionit “Twins”, kanë arrestuar në Gjirokastër shtetasit:
K. K., 39 vjeç, dhe K. K., 39 vjeç, të dy banues në Gjirokastër (vëllezër).
Gjatë kontrollit të banesave të dy vëllezërve, iu gjetën dhe u sekuestruan 3 armë zjarri,(2 kallashnikovë dhe 1 pushkë), 1 armë e ftohtë (thikë), 3 krehëra, municion luftarak, 1 maskë dhe 3 aparate celularë.
Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të verifikuar nëse janë përdorur për vrasjen e vitit 2018 apo në ngjarje të tjera kriminale.
Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të DVP Dibër vijojnë hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vrasjeje, si dhe për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar për këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.













