Librazhd, 11 Tetor 2025 – Dy turistë nga Zvicra janë shpëtuar pas disa orësh kërkime, pasi kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit të malit të Shebenikut, në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, Salla Operative e Komisariatit të Policisë në Librazhd mori sinjalizimin për rastin dhe menjëherë organizoi grupet e kërkimit. Në ndihmë të policisë u bashkuan edhe punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura në Elbasan.
Turistët, të cilët kishin devijuar nga shtegu i sinjalizuar dhe kishin humbur orientimin, u lokalizuan pas disa orësh dhe u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore. Dyshohet se njëri prej tyre kishte pësuar një dëmtim të lehtë në këmbë.
Çifti shprehu mirënjohje për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionalizmin e forcave të angazhuara në kërkim.
Policia e Elbasanit apelon për kujdes të shtuar nga vizitorët që frekuentojnë zonat malore dhe rekomandon ndjekjen e shtigjeve të miratuara dhe sinjalistikës përkatëse.
