TIRANË- Dy emrat e njohur të botës së krimit, Lulzim Berisha dhe Durim Bami janë transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Bami është transferuar nga Fushë-Kruja drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin, ndërsa Berisha nga Durrësi drejt Peqinit. Bami është nën masën e sigurisë “Arrest në burg” me urdhër të Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për disa vepra penale, mes tyre “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Sipas SPAK, ai akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa emri i tij është përmendur edhe në planet për vrasjen e Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasi. SPAK thotë, se Bami drejtonte një grup që kultivonte kanabis në zonën e Niklës dhe Bubqit, me ndihmën e ish-efektivit të RENEA-s Altin Morina dhe personave të tjerë. Ndërsa Lulzim Berisha ndodhet në “Arrest në burg” për vrasjen e Klodian Saliut.
Transferimi i Lulzim Berishës vjen pak ditë pas publikimit të një videoskandali që i përket muajit janar, ku një grup të burgosurish, përfshirë vetë Berishën, festonin brenda qelisë në paraburgimin e Durrësit. Ndërsa, transferimi i Bamit vjen më pak se një muaj pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pranoi kërkesën e tij për tu transferuar nga burgu 313 në Tiranë drejt burgut të Fushë-Krujës.
Bami e kishte kërkuar zhvendosjen pas ekstradimit nga Dubai në fund të shkurtit, duke pretenduar se në burgun 313, por edhe në burgjet e Peqinit dhe Reçit, ndodheshin persona që paraqisnin rrezik për jetën e tij. Sipas kërkesës së depozituar nga avokati i tij Ilir Murati, burgu i Fushë-Krujës konsiderohej alternativa më e përshtatshme.
Po ashtu, ditët e fundit burgjet janë përfshirë në kontrolle të shumta në çdo qeli, ku përfshihen edhe burgjet e sigurisë së zakonshme. Siç raportohet, synimi është pastrimi i qelive nga telefonat dhe sendet e ndaluara dhe bllokimi i takimeve speciale të disa të burgosurve VIP













