‘Dua parapagim’! Mashtroi një qytetar në Elbasan se do t’i kryente punime në banesë, dhe përfitoi 7.5 mln lekë, arrestohet 39-vjeçari

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Last Time”, duke dokumentuar një rast mashtrimi të përsëritur.

Si rezultat i hetimeve disa javore, të kryera me metoda proaktive dhe pas kallëzimit të shtetasit D. T., specialistët e këtij seksioni, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, arrestuan shtetasin E. K., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas hetimeve, 39-vjeçari dyshohet se i ka marrë disa herë shuma parash shtetasit D. T., 38 vjeç, duke e mashtruar se do t’i kryente punime në banesë. Në total, shuma e përfituar përmes mashtrimit kap vlerën rreth 750 mijë lekë.

I arrestuari akuzohet për veprën penale “Mashtrimi”, kryer më shumë se një herë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.