Droni zbuloi ku fshihej, momenti i arrestimit në malet e Gjormit të 32-vjeçarit i dyshuar për vrasjen e kushëririt

Forcat policore kanë vënë në pranga gjatë natës në zonën malore të Gjormit, 32-vjeçarin Bertil Alliaj, i dyshuar për vrasjen me armë të kushëririt të tij, Dala Alliaj. Operacioni nisi pas ngjarjes së mbrëmshme dhe zgjati rreth pesë orë, duke u zhvilluar me intensitet të lartë dhe me përdorimin e dronëve për kontrollin e terrenit të vështirë.

Sipas policisë së Vlorës, i dyshuari u lokalizua dhe arrestua rreth orës 01:05 të mëngjesit, në një zonë të pyllëzuar pranë vendit të ngjarjes, ku dyshohet se ishte fshehur pas incidentit. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, kur, sipas hetimeve paraprake, konflikti mes dy kushërinjve degjeneroi në përdorimin e armës së zjarrit pranë banesës së tyre.

Gjatë kontrollit, efektivët sekuestruan një armë të dyshuar tip “Beretta FS92”, një krehër dhe 10 fishekë, që dyshohet se janë përdorur në krim. Mbi të arrestuarin rëndojnë akuzat për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes dhe rrethanat e konfliktit, ndërsa pritet që i arrestuari të dalë para gjykatës për masë sigurie në ditët në vijim.