Drenovë, 29 Shtator 2025 – Gjatë një kontrolli rutinë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Drenovë, autoritetet kanë sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike të dyshuar si Cannabis sativa, si dhe një telefon celular në ambientet e Godinës B, ku qëndrojnë të paraburgosurit.
Sipas burimeve zyrtare, telefoni është gjetur në dhomën e një të paraburgosuri me inicialet Xh. L., dhe dyshohet se mund t’i përkasë Laert Haxhiut, një emër i njohur për drejtësinë. Pajisja është sekuestruar dhe pritet t’i nënshtrohet ekspertimit për të përcaktuar pronësinë dhe përmbajtjen e saj, përfshirë bisedat e mundshme të interesit hetimor.
Kjo është hera e dytë që emri i Haxhiut del në qendër të një incidenti brenda këtij institucioni. Në qershor 2025, në një kontroll të ngjashëm, u sekuestruan katër telefona që gjithashtu dyshohej se i përkisnin atij.
Prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plotë të rastit dhe për të identifikuar personat që mund të kenë ndihmuar në futjen e mjeteve të ndaluara brenda mjediseve të sigurisë së lartë.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet dhe masat parandaluese në IEVP Drenovë do të intensifikohen në vijim, për të frenuar fenomenin e futjes së sendeve të ndaluara në ambiente të paraburgimit.
