Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar raportin paraprak ku vëren disa problematika në lidhje me zgjedhjet vendore. Vecanërisht ky institucion i pavarur ndalet tek votimi elektronik në Elbasan.
“Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim. KShH është njohur me të dhëna të sinjalizuara në terren, në Bashkinë Elbasan, sipas të cilave, pretendohet se eksponentë të lartë të subjektit zgjedhor PS i bëjnë presion votuesve duke i përcjellë informacion se ditën e votimit, vota e tyre do të jetë lehtësisht e identifikueshme. KShH ju drejtua Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me shkresë zyrtare në dt.4 Maj, duke rekomanduar marrjen e masave të duhura parandaluese duke përfshirë këtu dhe një fushatë publike mbi sigurinë e moskryerjes së identifikimit të vullnetit të zgjedhësve, nëpërmjet votimit elektronik. Komisioneri, në vijimësi, gjatë testimit operacional për sistemin e votimit dhe numërimit elektronik u shpreh se “Pajisjet garantojnë 100 % fshehtësinë e votës së zgjedhësve. Nuk ka asnjë lloj mundësie, as kompania që ka prodhuar pajisjet, as KQZ dhe askush nuk mund të identifikojë dhe zbulojë votën e qytetarëve”. Situata e vështirë sociale-ekonomike dhe kultura e pandëshkueshmërisë, keqpërdoret nga subjektet zgjedhore që janë të prirura për të blerë votat e zgjedhësve që janë në pamundësi ekonomike”.
Sipas KSHH ende ka paqartësi për procesin dhe grupet e numërimit.
“Ndërkohë, pranë KZAZ-ve të ngritura pranë Bashkisë Elbasan, subjektet zgjedhore dhe komisionerët në tërësi janë ndeshur me keqkuptime mbi nevojën e ngritjes së GNV-ve si rrjedhojë e realizimit të pilotimit të votimit e numërimit elektronik. Në këto kushte, KZAZ-të qëndrojnë ende në një situatë vakumi (paqartësie) sa i përket përcjelljes së propozimeve për anëtarë të GNVve”.
Komiteti Shqiptar I Helsnikit nënvijëzon edhe shkeljen e heshtjes zgjedhore pasi materiale zgjedhore, postera etj. janë ende në qarkullim në ditën e heshtjes zgjedhore.
