Deklaratat e Gjovalin Shkambit, i cili një ditë pas masakrës tek Gjykata e Apelit ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, kërcënonte me të njëjtin fund dhe gjyqtarë të tjerë.
Teksa deklarata solli arrestimin e tij, familja e shkodranit, nipi i të cilit, Elvis Shkambi vrau Kalanë dhe plagosi babë e bir, me të cilët ishte në proces gjyqësor, vjen reagimi dhe nga familja e Gjovalin Shkambit. Familja e nis me një mesazh ngushëllimi drejtuar familjes së gjyqtarit Kalaja, ndërsa shpreh keqardhje për deklaratën e Gjovalinit. Sipas tyre, deklarata e Gjovalinit ishte bërë në një moment gjaknxehtësie.
Shprehim keqardhje të thellë për gjithë situatën e krijuar pas deklaratave të babait tonë.
Kërkojmë publikisht ndjesë për fjalët e thëna prej tij, të cilat, siç ka pranuar edhe vetë, janë shprehur në një moment gjaknxehtësie dhe tronditjeje të madhe. Pavarësisht se drejtësia deri më tani nuk ka arritur ende të vendosë pikën përfundimtare mbi këtë çështje, ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen.
Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente.
Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike.
Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë!
Me respekt,
Familja e Gjovalin Shkambi.
DEKLARATA
“Ata që do të dënojnë nipin tim, do të përballen me këtë gjë. Ata gjyqtarë që do të dënojnë nipin, do të përballen me të njëjtën gjë (vrasje) me plumba. Kemi 13 vite që i shkruajmë kryeministrit dhe të gjithë qeverisë për pronën që kemi blerë. Këta do të kenë të njëjtin shpërblim. Pronën e kemi blerë. Ia kemi blerë shtetit.”, tha ai. Pyetjes nëse është i penduar, Gjovalini tha; “familjes së të ndjerit gjyqtar, i ulem në gjunjë. Kemi 13 vite që informojmë shtetin. E kemi blerë pronën me ligj e rregulla. Nëse dënojnë djalin, të njëjtën gjë do bëjmë. Edhe sikur të jetë Donald Trump, apo Papa. S’ka lojë me në më. I kemi të rregullta dokumentet. Kemi 13 vite që i shkruajmë Edi Ramës.
Liromë pronën, o liromë pronën. S’ka lojë me ne. Jo nuk isha në dijeni. Se do ta kisha ndaluar. 72 orë më parë kam njoftuar shefin e Komisariatin të Shkodrës dhe kam dhënë informacion se ish-drejtori i Policisë Bashkiake nuk kishte prishur disa objekte. Familjes së Astriti Kalasë, i bie në gjunjë. Në mënyrë absolute nuk i druhem hakmarrjes, kemi nisur luftën. Kur të dënojnë atë djalë, në sallë të gjyqit me plumba do të gjykohet. Se më ka prerë në besë shteti. Ia kam blerë shtetit. Nuk ka gjyqtar që e dënon. Do t’i hanë plumbat sikur i hëngri Astrit Kalaja!.
Sipas nenit 238 të Kodit Penal, parashikohet që në raste të kërcënimeve rrezikon 6 muaj, deri në 5 vite burg.
