Përdorimi i alkoolit ka shkaktuar një dramë familjare në fshatin Stropckë të Pogradecit, ku djali, në gjendje të dehur, ka dhunuar babanë e moshuar 83 vjeç.
Ky i fundit, më pas, ka marrë një çifte gjahu dhe ka qëlluar mbi të birin, i cili, sipas informacioneve, ndodhet në gjendje të rëndë. Sipas policisë, rreth orës 18:40 të së mërkurës, ka ndodhur një konflikt familjar i çastit mes babait dhe djalit të tij.
“Shtetasi P.Sh, 47 vjeç, në gjendje të dehur ka dhunuar babait e tij shtetasin A. Sh., 83 vjeç. Më pas 83 vjeçari ka marrë armën e gjahut dhe ka plagosu djalin e tij shtetasin P. Sh, i cili është transportuar për në spital për ndihmë mjekësore.”, njofton policia.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, kanë bërë shoqërimin e 83 vjeçarit në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme. Gjithashtu shërbimet e Policisë kanë bllokuar e sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e gjahut me të cilën dyshohet se 83 vjeçari ka plagosur djalin e tij.
