Një ngjarje e rëndë ka shkaktuar reagime të forta në Itali, pasi një fëmijë 11-vjeçar u detyrua të përshkojë rreth 6 kilometra në këmbë, mes dëborës dhe temperaturave nën zero, pasi u zbrit nga autobusi për mungesë bilete.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Vodo di Cadore, në provincën Belluno. Sipas familjarëve, fëmija po kthehej nga shkolla dhe përdorimi i autobusit prej tij ishte i rrallë. Në fillim të vitit shkollor ishin blerë bileta me vlerë 2.50 euro, për të cilat ishte konfirmuar se nuk kishin afat skadence.
Të martën pasdite, rreth orës 16:00, 11-vjeçari bashkë me dy shokë klase u paraqit në stacionin e autobusit. Autobusi i parë nuk ndaloi, ndërsa në linjën e orës 16:40, djali i dorëzoi shoferit biletën që kishte. Shoferi i kërkoi një biletë prej 10 eurosh, e detyrueshme për linjën Calalzo–Cortina, dhe pasi fëmija nuk e kishte, e zbriti nga autobusi.
Si pasojë, i mituri u detyrua të ecë në këmbë nga San Vito drejt Vodo di Cadore, në kushte të vështira atmosferike. Familja bën me dije se ai u kthye në shtëpi i ngrirë dhe në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa të nesërmen nuk shkoi në shkollë.
Nëna e fëmijës ka denoncuar rastin pranë kompanisë së transportit Dolomiti Bus, e cila ka nisur një hetim të brendshëm për ngjarjen. Sipas saj, kompania e ka kontaktuar familjen dhe ka konfirmuar se po verifikohen rrethanat e incidentit.
Ndërkohë, gjyshja e fëmijës ka paraqitur kallëzim penal për braktisje të të miturit, duke e cilësuar veprimin si të papranueshëm.
Rasti është denoncuar zyrtarisht në autoritetet e Bellunos, ndërsa kompania e transportit ka pezulluar shoferin e autobusit në pritje të përfundimit të hetimeve.













