Dita e Ujit të Bekuar në Elbasan: 14-vjeçari Hermes Halili kap Kryqin mes shiut dhe të ftohtit

Elbasan – Pavarësisht motit me shi dhe temperaturave të ulëta, besimtarët ortodoksë në Elbasan kremtuan Ditën e Ujit të Bekuar, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar. Ritualet u organizuan nga Kisha “Shën Nikolla”, nën drejtimin e Mitropolitit të Elbasanit, Librazhdit dhe Shpatit, Imzot Andon Merdani.

Sipas traditës së përvitshme, ceremonia e hedhjes së Kryqit në ujë u zhvillua në një nga pishinat e qytetit. Tre të rinj u hodhën në ujë për të kapur Kryqin, duke sfiduar të ftohtin, ndërsa fitues doli 14-vjeçari Hermes Halili, nxënës i shkollës “Jeronim De Rada”, i cili arriti ta nxirrte Kryqin nga uji mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Pas momentit simbolik, Hermes Halili shprehu gëzimin dhe emocionin për përjetimin, duke përcjellë urime për shëndet dhe mbarësi për të gjithë besimtarët.

Në fjalën e tij, Mitropoliti Imzot Andon Merdani theksoi rëndësinë shpirtërore të kësaj dite, duke nënvizuar se Dita e Ujit të Bekuar përkujton pagëzimin e Krishtit dhe simbolizon pastrimin dhe ndriçimin shpirtëror të besimtarëve.

Sipas traditës ortodokse, besimtarët marrin ujë të bekuar për ta ruajtur gjatë gjithë vitit, duke e përdorur për të bekuar dhe spërkatur shtëpitë e tyre, si shenjë mbrojtjeje, paqeje dhe begatie.