Dhjetëra çifte në dyert e gjykatës në Elbasan/ Psikologia: Dhuna në familje dhe divorcet cenojnë fëmijët

Numri i divorceve në qarkun e Elbasanit është gjithnjë në rritje, për faktorë të ndryshëm ku nuk përjashtohet dhuna në familje. Gjatë vitit 2023 në Elbasan janë divorcuar 335 çifte.

Po si ndikon ndarja e prindërve tek fëmijët?

“Kur ka zgjidhje martese me konflikte e rëndon gjendjen emocionale të fëmijëve. Dhuna në familje i cenon fëmijët. Shohin si funksion dhe e shprehin me gjuhën e tyre atë çka kanë parë. Ka shumë çifte që ndahen për çështje ekonomike dhe i adresojnë problemet në sytë të fëmijëve. Pra kur zgjidhja e martesës është me konflikt, fëmija është konfuz dhe i ngarkuar emocionalisht”, tha psikologia Eriona Hoxha.
Psikologia Eriona Hoxha tregon se në shumë raste hasin vështirësi në caktimin e kujdestarisë së fëmijëve për çiftet që janë në proces divorci.

Psikologia këshillon çiftet që janë aktualisht në proces divorci të tregohen të kujdesshëm dhe tu lënë fëmijëve të kuptojnë se nuk janë ata shkaktare të ndarjes.

Këtë fillim viti rezulton se 265 çifte janë aktualisht në proces divorci në gjykatën e Elbasanit, 4 kërkesa janë refuzuar dhe 108 kërkesa janë pushuar.