Ervin Jonuzi, ortoped kirurg
Për individët mbi 40 vjeç, dhimbja e mesit radhitet si shkaku i tretë pse njerëzit vizitohen pas sëmundjeve të zemrës dhe artritit. 80% e njerëzve kanë dhimbje shpine të paktën njëherë në jetën e tyre. Pothuajse çdo individ që e kalon njëherë këtë dhimbje, do të vuajë sërish prej saj. Të paktë janë njerëzit me dhimbje mesi që kanë vërtet një problem serioz. 90% e individëve që kalojnë një dhimbje mesi, do të kenë përmirësime brenda 2-6 javësh. Duke pasur parasysh këto fakte, duhet të jeni të sigurt që dhimbja e mesit është e zakontë dhe ajo shkakton përgjithësisht probleme për një kohë të shkurtër, megjithatë mund të ndërmerrni masa për të lehtësuar simptomat dhe të parandaloni problemet e ardhshme.
Pse kam dhimbje mesi?
Ka shumë shkaqe të dhimbjeve të mesit. Mjekët nuk janë gjithmonë në gjendje të identifikojnë burimin e dhimbjes të pacientit. Por mjeku do të bëjë çdo përpjekje për t’u siguruar që simptomst nuk vijnë nga një arsye serioze mjekësore, të tilla si kanceri apo një infeksion kurrizor.
Pjesa më e madhe e problemeve të mesit janë rezultat i amortizimit të shpinës gjatë shumë viteve. Ky proces quhet degjenerim. Me kalimin e kohës, procesi normal i plakjes mund të rezultojë në ndryshime degjenerative në të gjitha pjesët e shpinës.
Lëndime në shpinë, të tilla si një frakturë apo lëndim në disk, mund të bëjnë që ndryshimet të ndodhin edhe më shpejt. Nuk ka prova se pirja e duhanit përshpejton degjenerimin e shpinës, por shkencëtarët kanë gjetur lidhje mes anëtarëve të familjes, duke treguar se gjenetika luan rol në shpeshtësinë e ndodhjes së këtyre ndryshimeve.
Degjenerimi
Disku intervertebror ndryshon me kalimin e kohës. Në fillim, disku është me strukturë sfungjerore dhe të fortë. Bërthama (nukleusi) në qendër të diskut përmban një sasi të madhe uji. Kjo i jep diskut aftësinë për të përthithur goditjet dhe për të mbrojtur shpinën nga forcat e rënda dhe të përsëritura.
Ndryshimi i parë që ndodh është se anulusi (unaza) rreth bërthamës dobësohet dhe fillon të zhvillojë të çara apo ndërprerje të vogla. Trupi përpiqet vetë për t’i shëruar këto të çara me ind riparues. Por ky ind nuk është aq i fortë sa indi që zëvendëson. Anulusi me të çara mund të jetë një burim dhimbjeje për dy arsye. Së pari, ka disa sensorë dhimbje që ndodhen në buzën e jashtme të anulusit (unazës). Ata sinjalizojnë një reagim të dhimbshme kur të çarat arrijnë në këtë pjesë. Së dyti, si gjithë dëmtimet e indeve të tjera në trup, një e çarë në anulus mund të shkaktojë dhimbje për shkak të inflamacionit.
Me kalimin e kohës, disku fillon të humbasë ujë, duke i shkaktuar diskut humbje të masës dhe lartësisë. Si rezultat, vertebrat fillojnë të lëvizin më afër së bashku.
Ndërkohë që disku vazhdon të degjenerojë, hapësira midis vertebrave zvogëlohet. Kjo shtyp artikulacionet e vogla përgjatë pjesës e pasme të shtyllës kurrizore. Ndërkohë që këto artikulacione shtypen, një presion shtesë ushtrohet në kërc mbi sipërfaqen e tyre. Ky presion shtesë mund t’i dëmtojë këto artikulacione. Me kalimin e kohës, kjo mund të çojë në artrit të artikulacioneve intervertebrore të shtyllës kurrizore.
Këto ndryshime degjenerative në disk, në artikulacionet e vogla, dhe ligamente bëjnë që segmenti spinal të bëhet i lirshëm dhe i paqëndrueshëm. Lëvizja shtesë shkakton edhe më shumë amortizim në shpinë. Si rezultat, më shumë amortizim ndodh edhe në anulus.
Bërthama mund të ushtrojë presion në anulusin e çarë dhe në kanalin kurrizor. Kjo quhet hernie diskale ose disku i çarë. Materiali i diskut që ushtron presion mund të shtypë edhe nervat spinalë. Disku gjithashtu çliron enzima dhe kimikate që prodhojnë inflamacion. Kombinimi i presionit mbi nerva dhe inflamacioni i shkaktuar nga kimikatet e çliruara nga disku jep dhimbje.
Ndërkohë që degjenerimi vazhdon, rritje të kockave apo osteofite zhvillohen rreth artikulacioneve dhe rreth diskut. Askush nuk e di saktësisht pse këto zgjatje të kockave zhvillohen. Shumica e mjekëve mendojnë se osteofitet janë përpjekje e trupit për të ndaluar lëvizjen shtesë midis segmentit spinal. Këto rritje të kockave mund të shkaktojnë probleme duke shtypur nervat spinalë që kalojnë në foramina neurale. Ky presion rreth rrënjëve nervore të irrituara mund të shkaktojë dhimbje, mpirje dhe dobësi në pjesën e mesit, vitheve dhe gjymtyrëve të poshtme.
Një segment spinal i kolapsuar normalisht bëhet i ngurtë dhe i palëvizshëm. Ligamentet dhe artikulacionet e forcuara, indi i dëmtuar dhe i thatë i diskut dhe zgjatjet e kockave bëhen pengesë për lëvizjen normale. Kështu, një artikulacion i ngurtë nuk shkakton dhimbje më shumë se një tjetër që rrëshqet më shumë seç duhet. Kështu që kjo fazë e degjenerimit në fakt mund të çojë në një lehtësim dhimbjeje për disa njerëz.
Dhimbja mekanike dhe neurogjenike
Për të kuptuar më mirë shkakun e dhimbjes tuaj, specialistët e kolonës i ndajnë dhimbjet e mesit në dy kategori: dhimbja mekanike dhe dhimbja neurogjenike
Dhimbja mekanike shkaktohet nga amortizimi në pjesën lumbare të kolonës. Kjo lloj dhimbjeje është e ngjashme për nga natyra me një makinë që fillon të dalë jashtë përdorimit. Dhimbja mekanike zakonisht fillon nga ndryshimet degjenerative në disk. Ndërkohë që disku fillon të kolapsohet dhe hapësira mes vertebrave ngushtohet, artikulacionet intervertebrore mund të inflamohen. Dhimbja mekanike zakonisht përkeqësohet pas një aktiviteti për shkak të tendosjes apo forcës mbi pjesët e lëvizshme të shpinës. Dhimbja mekanike ndihet zakonisht në shpine, por ajo mund të përhapet në vithe dhe kofshë. Dhimbja rrallëherë shkon poshtë gjunjëve. Dhimbjet mekanike zakonisht nuk shkaktojnë dobësi ose mpirje në këmbë, sepse problemi nuk vjen nga presioni mbi nervat spinalë.
Dhimbja neurogjenike quhet dhimbja nga lëndimi i nervit. Ajo ndodh kur nervat spinal inflamohen, shtypen ose shtrëngohen. Kjo mund të ndodhë kur një disk çahet ose kur një nerv shtypet në momentin që del nga shpina. Kohët e fundit është zbuluar se kur një disk çahet, çlirohen kimikate që inflamojnë nervat edhe pse nuk ushtrohet asnjë presion direkt mbi nerv. Simptomat neurogjenike janë më shqetësuese për mjekët se dhimbjet mekanike, sepse ato mund të sinjalizojnë dëmtim të nervave dhe të çojnë në dobësi ose mpirje të gjymtyrëve të poshtme. Presioni mbi nerv shkakton simptoma në zonat ku nervi udhëton, më tepër sesa në mes apo pjesën e poshtme të shpinës. Kjo ndodh sepse presioni mbi nervin spinal prek strukturat larg nga shpina, të tilla si muskujt. Si rezultat, një personi mund të mos ketë dhimbje mesi, por mund të ndiejë dhimbje, mpirje ose dobësi në këmbë. Kjo tregon se ka një problem me sistemet elektrike të trupit. Presioni mbi nerv ndikon në mënyrën se si funksionon trupi. Muskujt dobësohen. Reflekset ngadalësohen. Ndjenja si e shpimit nga kunja, gjilpëra apo dhe mpirje mund të ndihen në zonat ku nervi udhëton.
Gjendjet e kolonës
Efektet e degjenerimit të kolonës ose dëmtimet e shpinës mund të çojnë në gjendje të veçanta të saj. Këto përfshijnë:
Çarjet e unazës (anulusit)
Disqet tona intervertebrare ndryshojnë me kalimin e moshës, ashtu sic thinjen dhe flokët. Ndoshta faza më e hershme e degjenerimit ndodh për shkak të çarjeve që ndodhin në anulus. Këto çarje mund të rezultojnë nga amortizimi pas një periudhe kohore. Ato gjithashtu mund të jetë rezultat i një dëmtimi të papritur në disk për shkak të një përdredhje apo tendosje në rritje në disk që tejkalon forcën e anulusit. Këto çarje të anulusit mund të shkaktojnë dhimbje në shpinë derisa të shërohen me ind riparues.
Çarja e brendshme e diskut
Çarjet e shumta të anulusit mund të çojnë në një disk te dobët. Disku fillon të degjenerohet dhe të kolapsohet. Vertebrat fillojnë të shtypen së bashku. Disku i kolapsuar mund të jetë burim dhimbjeje për shkak se ai e ka humbur aftësinë për të qenë një amortizues goditjesh mes vertebrave. Kjo gjendje është referuar disa herë si çarje e brendshme e diskut. Ky lloj problemi shkakton kryesisht dhimbje mekanike të shpinës për shkak të inflamacionit të diskut dhe strukturave përreth.
Hernie diskale
Një disk që është dobësuar mund të këputet apo të çahet. Nëse anulusi këputet apo çahet, materiali në bërthamë (nukleus) mund të shtypë diskun ose ta çajë. Një çarje e diskut zakonisht shkakton probleme të shtypjes nëse disku ushtron presion kundër një nervi spinal. Kimikatet e çliruara nga disku mund të inflamojnë rrënjën e nervit, duke shkaktuar dhimbje në zonën ku nervi udhëton, deri poshtë në këmbë. Kjo lloj dhimbjeje është referuar si dhimbje e nervit shiatik.
Edhe një disk normal mund të këputet. Peshat e rënda, lëvizjet e përsëritura përdredheëe mund të ushtrojnë shumë presion në disk, duke shkaktuar anulusin të çahet dhe bërthama (nukleusi) të këputet në kanalin spinal.
Artriti i atrikulacioneve të vogla të pasme të kolonës
Arikulacionet e vogla (të pasme) të shtyllës kurrizore lidhin vertebrat së bashku. Ato nuk kanë mundësi të mbajnë shumë peshë. Megjithatë, nëse një disk humb lartësinë e tij, vertebra mbi disk fillon të ushtrojë presion drejt vertebrës më poshtë. Kjo shkakton që artikulacionet të shtypen së bashku. Sipërfaqet ku këto artikulacione takohen, mbulohen me kërc artikular. Ashtu si artikulacionet e tjera në trup që janë të mbuluara me këtë kërc artikular, edhe artikulacionet e vogla të kolonës mund zhvillojnë osteoartrit nëse kërci artikular çahet me kalimin e kohës. Presioni shtesë në artikulacion, të tilla si ai i një disku të kolapsuar mund të shpejtojë degjenerimin në artikulacionet e vogla të pasme të kolonës. Enjtja dhe inflamacioni nga artriti mund të jetë një burim i dhimbjes së mesit.
Paqëndrueshmëria segmentale
Paqëndrueshmëria segmentale do të thotë se kockat vertebrale brenda një segmenti spinal lëvizin më shumë sesa duhet. Në pjesën lumbare të kolonës kjo mund të zhvillohet nëse disku ka degjeneruar. Zakonisht ligamentet mbështetëse rreth vertebrave kanë qenë gjithashtu të tendosura në kohë.
Paqëndrueshmëria segmentale përfshin edhe gjendjet në të cilat një trup vertebral fillon të rrëshkasë me vertebrën poshtë saj. Kur një trup vertebral rrëshqet shumë përpara, gjendja quhet spondilolistesis.
Cilido qoftë shkaku, kjo lëvizje shtesë në kockat e kolonës mund të krijojë probleme. Kjo mund të çojë në dhimbje mekanike thjesht sepse strukturat e kolonës lëvizin shumë përreth dhe bëhen të inflamuara dhe të dhimbshme. Lëvizja shtesë gjithashtu mund të shkaktojë simptoma neurogjenike nëse nervat spinalë janë shtypur si rezultat i paqëndrueshmërisë segmentale.
Stenoza spinale
Termi stenozë do të thotë mbyllje. Stenoza spinale i referohet një gjendjeje në të cilën indet brenda kanalit spinal janë mbyllur ose ngjeshur. Palca kurrizore përfundon në L2. Nën këtë nivel, kanali shpinor përmban vetëm nervat spinalë që udhëtojnë në pelvis (legen) dhe këmbë. Kur stenoza ngushton kanalin shpinor, nervat spinalë shtypen brenda kanalit.
Presioni nga kjo gjendje mund të shkaktojë probleme në mënyrën se si punojnë nervat. Keto probleme përfshijnë dhimbje dhe mpirje në vithe dhe këmbë, dhe dobësi në muskujt e inervuar nga këta nerva. Për shkak se këta nerva udhëtojnë në fshikëz dhe rektum, dobësia në këta muskuj mund të shkaktojë probleme me kontrollin e fshikëzës dhe zorrë.
Stenoza foraminale
Nervat spinalë dalin nga kanali spinal ndërmjet vertebrave në një tunel të quajtur foramen neural. Çdo gjë që shkakton zvogëlimin e këtij tuneli, mund të shtypë nervin spinal ku kalon nëpër tunel. Kjo gjendje quhet stenozë foraminale, që do të thotë se forameni (vrima) është ngushtuar. Pasi disku kolapsohet dhe humb lartësi, trupi vertebral sipër fillon të kolapsojë drejt një vertebre më poshtë. Hapja rreth rrënjëve nervore ngushtohet, duke shtypur nervin. Artriti i artikulacioneve shkakton rritje të kockave në foramen, duke shkaktuar më tepër shtypje të nervit dhe acarim të mëtejshëm. Stenoza foraminale mund të shkaktojë një kombinim të dhimbjes mekanike dhe dhimbjes neurogjenike nga rrënja nervore e irrituar.
Cilat janë disa nga simptomat e problemeve të mesit?
Simptomat nga problemet e mesit variojnë. Ato varen nga gjendja e përgjithshme e një personi dhe nga strukturat e prekura. Disa nga simptomat më të zakonshme të problemeve të mesit janë:
- Dhimbje mesi
- Dhimbje që përhapet në vithe dhe kofshë
- Dhimbje që përhapet nga vithet në këmbë
- Ngurtësi të shpinës dhe një varg lëvizjesh të kufizuara
- Dobësi të muskujve në kofshë, vithe ose këmbë
- Ndryshime ndijore (mpirje, sëmbim apo ndjesi shpimi gjilpërash) në këmbë, shputë ose majë
Rrallëherë simptomat përfshijnë ndryshime në zorrë apo në funksionin e fshikëzës. Një hernie diskale e madhe që shtyp në kanalin palcor mund të ushtrojë presion mbi nervat që inervojnë zorrët dhe fshikëzën. Presioni mund të shkaktojë dhimbje të mesit, dhimbje që drejtohet poshtë në të dy këmbët dhe mpirje apo ndjesi sëmbimi ndërmjet këmbëve në zonën që ju do të kontaktonit nëse do të ishit ulur në një shalë kali. Presioni mbi nerva mund të shkaktojë një humbje të kontrollit në zorrë apo fshikëz.
Ky është një rast urgjent
Nëse presioni nuk lirohet, ai mund të çojë në paralizë të përhershme të zorrëve dhe fshikëzës. Kjo gjendje quhet sindromi cauda equina. Mjekët rekomandojnë kirurgji të menjëhershme për të liruar presionin nga nervat.