Denoncimi i qytetares/ Jeton në Tiranë, por i del 350 mijë lekë debia për dritat në Shkozet

TIRANË- Një qytetare nga Tirana, e cila banon në zonën e Komunës së Parisit, ankohet në redaksinë e emisionit “Stop”, se kur kishte shkuar të paguante energjinë, e kanë njoftuar se është debitore me 350 mijë lekë për një apartament në Shkozet të Durrësit.

Zonja thotë se ka dy apartamente, një në Tiranë dhe tjetrin në Gjirin e Lalzit, por nuk ka asnjë lidhje me apartamentin e Shkozetit, që i faturojnë. Sipas saj, debia ishte për periudhën 2006-2013, ndërsa zonja shtëpinë te Gjiri i Lalzit e ka blerë në 2021-shin.

Ajo shprehet e shqetësuar, që debia është në emrin dhe mbiemrin e saj, bashkë me të dhënat e kartës së identitetit. Zonja është interesuar në zyrën e kujdesit ndaj klientit tek “Komuna e Parisit”, po nuk i kanë dhënë zgjidhje.

Specialistja: Kjo kartela del në Durrës.

Qytetarja: Po!

Specialistja: Nuk del fare këtu tek ne!

Qytetarja: Pikërisht, pra! Unë mendova, se është…, thashë do jetë ndonjë keqkuptim, pse rastësi emri, mbiemri, dhe emri i babës.

Specialistja: Tani, s’është kontrata jote kjo?

Qytetarja: Jo, absolutisht! S’kam asnjë lidhje me atë zonën aty! S’paguhen?

Specialistja: Paguhen!

Qytetarja: Paguhen? Shumë mirë! Të shkojnë, ta gjejnë, ta shohin një çikë, se kush është personi, që e ka këtë dhe kush e ka bërë? S’kam asnjë lidhje me këtë zonë!

Specialistja: Është ideja, përderisa ti se ke me dokumente, që shtëpia është e jotja…

Qytetarja: Edhe?

Specialistja: Duhet të kesh një kontratë energjie, duhet ta vërtetosh me hipotekë për këtë! Kjo nuk është objekti jot.

Qytetarja: Më fal pak, atëherë unë nuk duhet ta ndjek këtë, meqë kjo është në emrin tim, me kartën time, me gjithë të dhënat, përse duhet të dali e bërë aty, ndërkohëqë unë nuk jam fare?! Kush e ka bërë, ta mbajë! Më fal pak, a janë të dhënat e mia?

Specialistja: Po, ID e jote del.

Qytetarja: Atëherë, si më thoni ju mua, që s’ke lidhje?

Specialistja: Përderisa nuk është prona juaj, nuk është prona, nuk të vjen OSHEE-ja, të kërkojë llogari. Atij personit ia ka prerë energjinë në objekt!

Qytetarja: A janë të dhënat e mia këto?

Specialistja: Po, të dhënat e tua janë!

Qytetarja: A dal debitore unë në OSHEE?

Specialistja: Lër një numër kontakti, do t’ju njoftojmë!

OSHEE Durrës

Qytetarja: Ka dalë një faturë në Tiranë. S’e di unë, nuk kam shtëpi aty!

Specialistja: Kjo kontrata ka numër ID të ngjashëm.

Qytetarja: Më thonë, që je i njëjti person! S’kam lidhje fare! Unë kam një hyrje, por e kam tek Gjiri i Lalzit, është blerë në 2021-shin.

Specialistja: Kush është bërë në 2021-shin?

Qytetarja: Hyrja atje tek Gjiri i Lalzit, dhe nuk ka dalë akoma në emrin tim! Unë nuk mund ta di, se kush e ka këtë.

Specialistja: Është një person, që ka edhe emrin tënd. Të kesh emër dhe mbiemrin tënd!

Qytetarja: Jo, jo nuk është ashtu, sepse është me kartën time.

Specialistja: Po pra, por thjesht kanë fut kartën tënde. Ti do ikësh, do merresh në telefon, nuk ke pse rri këtu!

Pas saj, në lojë hyn gazetarja e “Stop”, duke u interesuar në të gjitha hallkat e OSHEE-së, ku premtojnë interesim dhe zgjidhje për rastin. Drejtori për median në OSHEE, Ardi Kola, shpjegon se është bërë një gabim dhe pa verifikimit, zonjës në fjalë iu hoq debia dhe i shkoi personit, që disponon objektin në fjalë, në Shkozë të Durrësit./tvklan.al