Denis Hoxholli është një nga punonjësit e Bashkisë Prrenjas i cili pavarësisht aftësive të kufizuara ia ka dalë të punojë prej 6 vitesh tashmë si Specialist i Strehimit Social. Ai është 31 vjeç dhe ka mbaruar studimet për ekonomi duke arritur të mundë edhe kufizimin që ka.
“Jam i punësuar për më shumë se 6 vite. Studimet i kam mbaruar për “Financë dhe Kontabilitet” dhe më pas kam ndjekur masterin shkencor. Sot punoj si specialist i strehimit social. Ndihem shumë komod në punë, ja kaloj mirë”- shprehet Denisi.
Kolegët e tij shprehen se denisi është një njeri I formuar nga ana profesionale dhe shumë i zoti në punën që bën. Myslym Hana, kolegu i tij i zyrës thotë se Denisi është shembull për të gjithë për përkushtimin e tij ndaj punës.
“E vlerësoj si një njeri me aftësi shumë të mira profesionale. Kemi komunikim shumë të mirë për vetë faktin se është njeri i kualifikuar dhe i formuar.”- u shpreh ai.
Punësimi i personave me aftësi të kufizuar është një detyrim ligjor që duhet ta përmbushin si institucionet shetërore ashtu edhe ato private por rrallë ndodh që kriteri i vendosur të zbatohet. Kështu në nivel lokal ka bashki të qarkut që nuk kanë asnjë të punësuar me kufizime në aftësi edhe pse kanë kanë numrin e punonjësve. Me ligjin e vjetër ishte një në 25 punonjës ndërkohë që me ndryshimet e reja duhen 2 persona me kufizime për 75 punonjës.
Bashkia Prrenjas është ndër të rrallat që e ka respektuar këtë ligj duke punësuar tre persona me aftësi ndryshe.
