Del video me pamjet kur deputeti shqiptar godet me grushta një qytetar

PRISHTINË – Një incident i pazakontë ka ndodhur sot në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, ku deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, është përfshirë në një konflikt fizik me një qytetar. Pamjet e publikuara nga “Gazeta Blic” tregojnë momentin kur deputeti po jepte një intervistë televizive dhe papritur një kalimtar i drejtohet me fjalë provokuese.

Situata ka dalë shpejt jashtë kontrollit. Zemaj shihet duke u afruar me nervozizëm drejt qytetarit, të cilin e godet disa herë, ndërsa në sfond dëgjohen edhe replika të ashpra. Në një moment, deputeti dëgjohet duke i thënë: “Të rren nëna dhe gruaja jote”.

Pas incidentit, të dyja palët janë shoqëruar nga policia për të dhënë sqarime mbi rrethanat e ngjarjes. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga deputeti apo nga LDK lidhur me këtë përplasje që ka shkaktuar shumë reagime në rrjetet sociale.