Në GJKKO po mbahet seanca paraprake në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të personave të tjerë.
Veliaj është larguar nga salla e gjyqit me pretendimin se nuk është dëgjuar nga trupi gjykues: Meqenëse ju s’po më dëgjoni, po largohem.
Seanca për Veliajn/ Kryebashkiaku kërkoi largimin e avokates, Teodoresku: Nuk pata kohë, taksia më priste vetëm një orë
Avokatja kryesisht Valentina Teodoresku ka kërkuar shtyrje te seancës pasi nuk ka arritur që të konsultojë me Veliajt të gjitha aktet hetimore.
Këtë kërkesë avokatja e argumentoi duke thënë se taksia e priti vetëm 1 orë në qendrën e paraburgimit në Durrës dhe nuk pati më shumë kohë në dispozicion.
Kërkesa nuk është marrë parasysh nga gjyqtarja e çështjes Etleva Deda ndërsa Veliaj ka kërkuar përjashtimin e saj pasi i mohoi të drejtën të mbrohej efektivisht.
Ndërkohë seanca nuk është ndërprerë teksa po vijohet me konkluzionet përfundimtare të palëve të tjera.
Për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes “Veliaj”.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.













