Dasmorët bllokojnë qarkullimin në ‘Unazë’, 2 persona nën hetim, 1 tjetër në kërkim

Policia e Tiranës ka vënë nën hetim 2 persona dhe ka shpallur në kërkim një të tretë pasi më datë 24 gusht, pasi me automjetet e tyre kanë bllokuar qarkullimin në aksin e Unazës së Madhe për të festuar për ceremoninë martesore ku merrnin pjesë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, si rezultat i administrimit të disa pamjeve filmike të publikuara më datë 24.08.2025, në të cilat shfaqeshin disa automjete të dekoruara për ceremoni martesore, të ndaluara në Unazë të Madhe, të cilat kishin penguar qarkullimin në këtë aks, kanë mundësuar identifikimin e disa prej shtetasve të implikuar në këtë paligjshmëri.

Konkretisht, u identifikuan 3 shtetas, E. D., 36 vjeç dhe D. M., 22 vjeçe, për të cilët nisi procedimi penal në gjendje të lirë, dhe Xh. A., 28 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Punohet për kapjen e tij”, thuhet në njoftim.

Sakaq, hetimet po vijojnë për identifikimin dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të 4 personave të tjerë të përfshirë si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve të përdorura, të cilët rezultojnë të marra me qira.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.