“Dash, ndërrove mendje?” Sula tregon bisedën me Nokën: Më ka telefonuar nga data 13 deri të hënën!

TIRANË- Deputeti demokrat, Dashnor Sula në një intervistë të zhvilluar së fundmi ka folur në lidhje me largimin e tij nga Partinë Demokratike pas publikimit të listave për zgjedhjet e 11 Majit. Sula i ftuar në Klan News zbuloi se kur ishte momenti që kuptoi se diçka nuk po shkonte. Sipas tij ishtë i pamoralshëm fakti se atij nuk iu komunikua lajmi se nuk do të jetë në lista përpara se të shpallej lista.

“Ishte e pamoralshme që të paktën nuk m’u kërkua apo nuk m’u tha përpara që do ishte ky vendim përpara një jave se të shpallej lista, duke patur parasysh tentativën që kam pasur unë të komunikoja me zotin Berisha po të takohesha me zotin Berisha duke i kërkuar nëpërmjet dy mesazheve në mënyrë të shkruar që të kisha një takim për situatën që po afrohej. Në një kohë që përgjatë 20 viteve nuk ka bërë vaki kurrë që Zoti Berisha të cilin e kam vlerësuar maksimalisht që edhe në 2 të natës do të vinte mesazhi i një përgjigjeje, gjë e kotë sesa ky moment. Gjë që nuk ndodhi. Aty kuptova që diçka nuk po shkon”, tha Sula.

Ai tregoi edhe bisedën e fundit që ka pasur me Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka. Sula u shpreh se më datë 13 Mars pas një fjalimit të tij në parlament dhe pas reagimit ndaj koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë telefonatën e parë nga Noka.

“Telefonata e parë ka qenë nga zoti Noka, i cili ka vazhduar përgjatë datës 13 deri ditën e hënë, një gjysmë ore para se të merreshin në shqyrtim listat nga KQZ. Telefonata e fundit nga zoti Noka ka qenë “Dash ndërrove mendje”?

I kam thënë jo, sepse unë pranova të jem i sinqertë për katër vitet e fundit që të kandidoja në listat e hapura për PD, duke garantuar zotin Noka dhe drejtues të tjerë të PD që i garantoj mandatin e 6 në Elbasan. I kam thënë nëse do vij nën 10 mijë vota personale në gjithë qarkun, nuk e dua mandatin. Nëse edhe jo për fajin tim, i siguroja dhe i mbroja mandatin e 5 të PD në Elbasan. Le të hidhet përpjetë kushdo, nuk kalon kurrë nuk kishte mundësi që të dilnim mbi 6 mandate dhe po ju them sot, që me atë listë që është do ishte përballje e fortë”, tha Sula.