Rreth pesëdhjetë nxënës të komunitetit rom dhe egjiptian janë angazhuar në orë passhkollore në shkollat “Ptoleme Xhuvani”, “Sulë Misiri” dhe “Qemal Haxhihasani” në Elbasan.
Ky projekt po realizohet nga INAC falë mbështetjes së OSFA me mbështetjen e Bashkimit Europian.
Të fokusuar në mjete dhe metoda të arsimit të kombinuar, realizimin e projekteve të ndryshme, ndërsa punojnë me teknologjinë nxënësit e këtyre shkollave bëhen gjithmonë e më aktivë dhe më të aftë duke përmirësuar ndjeshëm rezultatet në mësime.
Çdo javë zhvillohen dy deri në tri seanca mësime me teme të ndryshme nën drejtimin e koordinatorëve të shkollave.
Disa nga nxënësit e angazhuar ndajnë eksperiencën e tyre. Ata shprehen se aktivitetet passhkollore i kanë ndihmuar të socializohen dhe zhvillojnë aftësi.
“Unë quhem Elisa Bradasheshi dhe jam në klasën e pestë. Shkolla “Ptoleme Xhuvani” më pëlqen shumë sepse është planifikuar të bëhet afterschool-i. Ne mësojmë të përdorim kompjuterin, të krijojmë kartolina për Vitin e Ri dhe festa të tjera”- thotë një nxënëse.
“Më është dukur shumë mirë sepse është diçka që ne si nxënës, brezi ynë ka shumë dëshirë të krijojë video duke përdorur teknologjinë dhe imagjinatën”- u shpreh një tjetër.
“Unë quhem Kejdi Çelikja dhe jam pjesë e klasës së pestë. Unë jam shumë i kënaqur me aktivitetet jashtëshkollore sepse mësojmë gjëra të reja. Do të doja të vazhdonte edhe në klasat e tjera”
Familjarët janë gjithashtu entuziastë lidhur me këtë eksperiencë të re të përfshirjes së nxënësve.
“I ndihmon fëmijët të shkathtësohen, ta shpenzojnë kohën e lirë në mënyrë të mirë. Do ishte mirë që ta kenë edhe në vazhdimësi”
“Më është dukur shumë interesante kjo ide, aq më tepër që po përparon teknologjia edhe në këtë shkollë që është e prapambetur, pavarësisht stafit që është i mrkullueshëm”
“Mua më duket interesante. Do t’u shërbejë atyre të mësojnë, të ecin përpara. Unë kam një dëshirë shumë të madhe për fëmijët e mi që ata të ecin përpara. Nuk dua si disa, përshembull që i pengojnë fëmijët e tyre, i lenë vajzat pa shkollë, i martojnë që të vogla. Unë nuk e pranoj këtë, jemi në një kohë të zhvilluar, t’i mësojmë vajzat të shkojnë në shkollë, të mësojnë, jo të jenë të mbyllura”
