TIRANË- Dallëndyshe Bici ka refuzuar mandatin e deputetes, të cilin më herët e kishte Arben Ahmetaj.
Mësohet se mandati, sipas listës së zgjedhjeve, i kalon Plarent Ndrecës, por nuk dihet nëse ky i fundit do ta pranojë mandatin. Sipas KQZ, Bici e ka refuzuar mandatin për shkak të angazhimit në detyrën aktuale që mban, si drejtore e Kadastrës.
Kujtojmë se Ahmetajt iu ndërpre mandat për shkak të mungesës për 6 muaj në seancat plenare pa arsye. Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kunër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK për veprat penale: pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion pasiv; të lidhur me të ashtuquajturën afera e incineratorëve.
Vetë Ahmetaj pretendon se nuk ka lidhje, por kërkon nga SPAK që të hetojë lidhur me sigurimin e fondeve, duke dhënë kështu detaje lidhur me ku duhet që të fokusohen hetimet. Aktualisht ai ndodhet në kërkim nga GJKKO-ja, ndërsa avokatët e tij pretendojnë se është në Britaninë e Madhe.
