Dalin shifrat: Sa e madhe është diaspora shqiptare sot në botë?

Shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve të vendit janë një potencial i jashtëzakonshëm i zhvillimit ekonomik. Kjo jo vetëm nëpërmjet remitancave, që i kapërcejnë vlerën e 1 miliard eurove në vit, por edhe nëpërmjet ekspertizës dhe rrjetit të bashkëpunimeve.

Por sa e madhe është diaspora shqiptare sot në botë? Dhoma e Biznesit të Diasporës ka publikuar shifrat përsa i përket shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe ndarjes gjinore të tyre.

“Ende nuk ekziston një shifër plotësisht e saktë për diasporën shqiptare, për shkak të kompleksitetit që karakterizon këtë dukuri. Megjithatë, sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, për vitin 2025, diaspora e re shqiptare llogaritet në rreth 2.25 milionë shtetas jashtë vendit ose rreth 49% e shtetasve shqiptarë gjithsej”, theksohet në postimin e Dhomës së Biznesit të Diasporës.

Sipas statistikave zyrtare, jashtë territorit të Shqipërisë përllogariten 2,256,346 individë, ku:

1,177,529 janë meshkuj

1,078,817 janë femra

Struktura sipas moshës tregon një profil të ri dhe ekonomikisht aktiv:

18% janë 0–14 vjeç

77% janë 15–64 vjeç

5% janë mbi 65 vjeç

“Kjo do të thotë se diaspora shqiptare nuk është thjesht një statistikë, është një kapital njerëzor i ri, produktiv dhe me potencial të lartë për kontribut ekonomik, profesional dhe strategjik”, thekson Dhoma e Biznesit të Diasporës.