Dalin emrat dhe foto e çiftit që humbi jetën në aksident

Ditët e para të vitit 2026 kanë nisur të përgjakura nga aksidentet, ku mëngjesin e sotëm një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Lezhë- Shkodër.

Nga përplasja e fortë e dy automjeteve në afërsi të fshatit Gocaj, dy persona kanë ndërruar jetë, ndërsa 1 grua dhe një fëmijë që udhëtonin me mjetin tjetër janë plagosur.

Dy viktimat janë një çift bashkëshortësh nga Puka, të cilët janë identifikuar Elona Florini 42- vjeç dhe Petrit Florini, 53- vjeç ky i fundit me detyrë efektiv policie, ndërsa gruaja me profesion mësuese.

Për nxjerrjen e trupava kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të cilët më pas u morën me ambulancë. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendgjarje për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

Ky është aksidenti i dytë me viktima për këtë vit, pasi një aksident tragjik ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur “Bypass”.

Nga përplasja e dy automjeteve, tre persona Klejdi Myftari, 24 vjeç, Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, dhe Martin Dulaj, 25 vjeç humbën jetën. E plagosur mbeti e fejuara e Dulajt, Arsida Demiri, 19 vjeçe, u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë.