Dalin DATAT, ja kur nis aplikimi i formularit A1 dhe A1Z për maturantët

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka ndarë këtë të premte me maturantët lajmin se është miratuar periudha e aplikimeve për formularët që ata duhet të plotësojnë, për të përcaktuar lëndët me zgjedhje. Kjo periudhë nis më 2 shkurt.

“Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore ka miratuar periudhën e aplikimeve me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore dhe Maturën Shtetërore Profesionale 2026 , ku nxënësit duhet të përcaktojnë edhe lëndët me zgjedhje duke nisur nga data 2 shkurt.”, shkruan ministrja Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Ndërkohë, për maturantët e viteve të kaluara, të cilët duan të bëhen pjesë e Maturës Shtetërore 2026, sqarohet se shërbimi për formularët A1Z do të aktivizohet në datat 10–11 shkurt.

Ministria e Arsimit u bën thirrje maturantëve të ndjekin me vëmendje afatet dhe udhëzimet përkatëse.

Maturantët do të japin provimet e maturës në qershor, duke nisur me provimin e gjuhës së huaj më 2 qershor. Më pas do të japin provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më 9 qershor, ndërkohë që më 16 qershor do të zhvillohet provimi i detyruar i Matematikës.

Provimet e maturës mbyllen më 23 qershor me provimin e lëndës me zgjedhje, ku maturantët zgjedhin mes 11 lëndëve, në varësi të degës për të cilën do të garojnë në universitete.

Ndryshimi për maturantët e shkollave profesionale është se më datë 23 qershor ata i nënshtrohen provimit të teorisë profesionale, në bazë të profilit që ndjekin në shkollën e mesme, ndërkohë që në datat e tjera japin të njëjtat lëndë si maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme. Provimet e Maturës Shtetërore 2026 fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.

Testi për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore përmban pyetje të tri niveleve të arritjes dhe vlerësohet me 60 pikë maksimale. Për nxënësit me aftësi të kufizuara, testi për secilin nga provimet e Maturës përmban vetëm pyetje të nivelit të parë dhe të dytë të arritjes dhe vlerësohet me pikët maksimale që i korrespondojnë nivelit të dytë.

Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën që, në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë, trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Anglishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja dhe spanjishtja jepen si provim i detyruar i gjuhës së huaj.