Çmimet mbeten të larta, inflacioni mesatar ishte 4.8% në 2023, kryesojnë ushqimet

Ndonëse me ritme më të ngadalësuara se në 2022-n, çmimet vijuan të rriten edhe në 2023-n. INTSTAT bëri të ditur se në dhjetor, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 4,0%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 7,4%.

Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2023 është 4,8% nga 6,7% që ishte në vitin 2022.

Ushqimet janë ato që kanë rënduar më shumë në shpenzimet e familjeve, pasi kanë pësuar rritjen më të lartë të çmimeve. Familjet në Shqipëri, për shkak të të ardhurave të ulëta, shpenzojnë rreth 41% të buxhetit për ushqime, nga 13% që është mesatarja europiane.

Rritja e çmimeve në gjysmën e dytë të vitit ka qenë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian, me eurozonën që në dhjetor kishte një inflacion prej 2.9%.

 

 

Niveli i lartë i inflacionit bëri që banka e Shqipërisë të rrisë në fund të vitit të kaluar normën bazë edhe me 0.25 pikë përqind, duke e çuar në 3.25%. norma bazë është instrumenti kryesor që banka e Shqipërisë ka për të frenuar rritjen e çmimeve. Guvernatori paralajmëroi se politika monetare do të vijojë të mbetet e shtrënguar, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon që norma bazë të arrijë deri në 4.5%.