Çifti i bashkëshortëve vdiqën pas aksidentit, lule e qirinj për viktimat! Familjarët: T’i kushtohet vëmendje këtij aksi, po merr jetë njerëzish

Familjarët e çiftit të bashkëshortëve që humbën jetën pasditen e 12 shkurtit në rrugën Lezhë-Shëngjin, u rikthyen në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik.

Mes dhimbjes së madhe dhe lotëve ata vendosen kurorë me lule dhe ndezën qirinj në nder të viktimave, 33-vjeçarit Paulin Zefi dhe bashkëshortes së tij Zhaklina Hysa.

Familjarët e të ndjerëve kërkojnë që t’i kushtohet vëmendje këtij aksi rrugor, pasi mungesa e standardeve po sjell aksidente edhe me pasoja fatale për jetën.

“Kam vënë re se kjo është një rrugë që duhet t’i kushtohet vëmendje, shumica e aksidenteve që kanë ndodhur këtu kanë qenë me pasoja të mëdhaja. Edhe shoferët të tregojnë kujdes, të respektojnë kodin e tyre se një gabim i tyre do të sjelli një pasojë të pashmagshme dhë një dhimbje që nuk ka për t’u harruar kurrë”, tha Sokol Zefi, familjar i viktimave për Report Tv.

Shqetësmi për degradimin e rrugës Lezhë-Shëngjin dhe mungesën e sinjalisitikës në këtë segment është ngritur edhe nga banorë të zonës.

Ata kërkojnë marrjen e masave dhe prezencë të shtuar të policisë, për të shmangur aksidentet në këtë rrugë e cila gjatë sezonit të verës është mjaft e frekuentuar.

“Këtu është rruga shumë e keqe. Makina ka zënë 5 vetë në lagjen tonë. Makinat ecin me 150-180km në orë. Policë nuk ka këtu. Të vendos dorë shteti ose mos të dalim jashtë fare. Ose dhe kur të dalim t’i japim dorë familjarëve, nuk i dihet do kthehemi apo jo më (në shtëpi)”, tha një banor i zonës.

Paulin Zefi dhe bashkëshortja e tij Zhaklina Hysa humbën jetën, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion.

Policia është në pritje të përgjigjes së aktit të ekspertimit për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti tragjik, por mungesa e standardeve në rrugë dhe sinjalistikës mbeten shqetësim në këtë segment me gjatësi 7 km.