Festat mbaruan dhe ushqimet që konsumuam tanimë kërkojnë të treten. Kërkojmë të krijojmë një regjim normal ushqimor. Nutricionistja e mirënjohur Diola Dosti, në një intervistë për “Mëngjesi në Dritare” në Dritare TV, na dha këshillat e duhura se çfarë duhet të bëjmë në këto ditë që të rikthehemi në normalitet. Sipas saj, për të paktën 2 javë duhet të shmangim produktet shtazore.
Gjithçka varet nga mënyra sesi jemi ushqyer gjatë vitit. Nëse në 90% të vitit je ushqyer shëndetshëm dhe pastaj ka qenë ai 10% që je zhytur në tepsinë e bakllavasë, apo gjelit të detit, nuk është ndonjë gjë e madhe. Është e rëndësishme të kemi kulturë ushqimore dhe të dimë se duhet të ushqehemi shëndetshëm. Trupi natyrisht që ka nevojë të pushojë pak, pasi kemi marrë karbohidrate, proteina, yndyrna në sasi të mëdha. Është me rëndësi ta lëmë mëlçinë të pushojë.Kjo ndodh duke hequ dorë nga produktet me origjinë shtazore dhe nga produktet që kanë bazë të sheqerit. Këtu nuk flasim për sheqerin e frutave por për sheqerin e ëmbëlsirave. Të paktën për dy javë është mirë mos të konsumohen produkte me origjinë shtazore, sepse ato e mundojnë shumë pankreasin, mëlçinë, aciditetin e stomakut, dhe vetë stomakun.
Pse shqiptarët hanë aq shumë për festa?
Është çështje kulture. Fundviti është gjithmonë koha kur mbledh njerëzit, kur na vijnë të afërmit nga jashtë, ata që kemi kohë pa i takuar. Siç duket, hormoni i lumturisë, duke qenë se 70 % e tij prodhohet në stomak, ne kënaqim stomakun që të jemi të lumtur. Kështu aktivizohen hormonet e gëzimit dhe të festojmë sa më shumë Vitin e Ri”, tha nustricionistja e njohur.
