Çfarë po ndodh me Arsimin e Lartë? Rënia e numrit të studentëve, kuotat e lira në shtet dhe ata që zgjedhin të studiojnë në privat

Nisja e kësaj jave përkoi dhe me nisjen e vitit të ri nisi akademik për studimet e larta. Që në fazën e parë të pranive u pa qartë rënia e numrit të konkurrentëve dhe preferenca për degët kryesore, duke lënë degë me zero regjistrime. Shkaqet janë të ndryshme. Reduktimi i popullsisë së re në moshë, zgjedhja gjithnjë e më shumë e fakulteteve private, shkollat e larta shtetërore po i lë në hije.

Të dhënat nga Portali Studentor tregojnë se në vitin akademik 2024-2025, rreth 15,111 maturantë kanë zgjedhur të ndjekin studimet e larta, nga të cilët 9920 u regjistruan në universitetet publike me rënie 19% nga viti i kaluar, ndërsa kanë zgjedhur të studiojnë në privat 5191 studentë ose 34.4% e totalit të studentëve.

Në total deri më tani, janë regjistruar 15,111 studentë ndërkohë që totali i kuotave në të gjitha programet e studimit të Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri është 30,805, nga të cilat më shumë se gjysma mbetën të lira, referojnë të dhënat nga Portali Studentor.

Përllogaritjet tregojnë se në 10 universitetet kryesore të vendit, 41.3% e degëve janë në rrezik për t’u mbyllur për shkak se nuk ka studentë. Në Universitetin e Gjirokastrës, 81.8% të degëve rrezikojnë të mbyllen pasi nuk plotësojnë numrin minimal të studentëve.

Të dhënat e Portalit të Studentëve tregojnë se 42.8% e programeve të studimit që janë prioritet kombëtar rrezikojnë të mbyllen pasi studentët nuk kanë treguar interes për to.

Tarifat gati të njëjta dhe fleksibiliteti më i madh i programeve të studimit po çon gjithnjë e më shumë studentë në privat. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në vitin 2023 në Institucionet Private të Arsimit të Lartë kishte gjithsej 32,387 studente ose 32 për qind më shumë. Në të njëjtën periudhe numri i studentëve në Universitetet publike pësoi rënie me 27%.

Në bazë të kësaj ecurie auditorët në Universitetet Publike rrezikojnë të mbetën bosh me shpejt se sa pritej, teksa reduktimi i studentëve nuk po shoqërohet me rritje të cilësisë.

Degët që po “zhduken”

Nga ana tjetër rezulton që shumë degë po shkojnë drejt mbylljes dhe gjithashtu Institucionet e Arsimit të Lartë në rrethe po braktisen.

Shkenca Natyre Mjedisore rezulton dega më pak e pëlqyer në Universitetin e Tiranës, me vetëm 2 studentë të regjistruar këtë vit. Më pas vjen Fizika me 5 studentë të regjistruar dhe Kimia me 8.

Nga ana tjetër, një nga degët më të preferuara në Universitetin e Tiranës rezulton Informatika Ekonomike, ku vetëm 4 kuota kanë mbetur të lira nga 240 gjithsej.

Të kërkuara vijojnë të jenë edhe inxhinieritë informatike tek Universiteti Politeknik, sikurse arkitektura.

Degët arkitekt, urbanist dhe interieri/dizajn nuk kanë asnjë vend të lirë në këtë fazë regjistrimesh. Ndërsa, inxhinieria e burimeve minerare, ajo gjeologjike dhe gjeomjedisi janë tre degët me më pak regjistrime këtë vit në Universitetin Politeknik.

Referuar të dhënave nga U-Albania, këtë vit Universiteti i Mjekësisë vijon të jetë i zgjedhur nga shumica e studentëve. Aktualisht, ky universitet ka vetëm 146 kuota të lira nga 1,624 që kishte gjithsej. Mjekësia e përgjithshme, farmacia dhe stomatologjia nuk kanë asnjë vend të lirë.