Ç’duhet të bëjmë me fëmijën kur e çojmë për herë të parë në çerdhe/ kopsht? Flet logopedi

Çdo prind ka frikën sesi do të përshtatet fëmija i tij me mjedisin e ri, kur shkon për herë të parë në çerdhe apo kopsht.

Logopedi Erges Eskiu, i ftuar në emisionin Koha për t’u zgjuar në News24, thekson se është shumë e rëndësishme që fëmijës t’i shpjegohet se çfarë do të ndodhë me të. Sipas Eskiut, prindërit duhet të jenë të pranishëm për disa ditë që të sigurojnë fëmijën dhe të lehtësojnë kalimin në këtë periudhë të re.

Ndërkohë, psikologët rekomandojnë që kur të marrësh fëmijën nga çerdhja/kopshti, të mos e mbash shumë afër, për të mos e bërë fëmijën të ndihet sikur çfarë ka ndodhur, por të shprehësh dashuri dhe mbështetje në mënyra të tjera.

Logopedi Erges Eskiu: Fëmijës duhet t’i flasësh se çfarë do të ndodhë me të, kur shkon për herë të parë në çerdhe, kopsht apo në klasë të parë. Duhet t’i thuash që aty të presin disa edukatore, që do kujdesen për ty, do ketë fëmijë që do qeshin, që do qajnë dhe kalosh mirë me të. Është e vështirë, sepse fëmija është mësuar të rrijë me babanë dhe mamanë, nuk është mësuar me angazhime, sepse është angazhim kjo periudhë që po merr fëmija. Është periudhë që ka nevojë për suport, që babi e mami janë këtu në çdo moment. Kur e çojmë në çerdhe fëmijën, prindërit duhet të jenë një javë aty, që të japin sigurinë, mos t’i duket fëmijës si braktisje.

Nëse fëmija ndihet i pasigurt, vjen mami dhe e qetëson gjysmë ore. Duhet që tranzicioni për fëmijën të kalojë sa më i paqtë. Fëmija duhet të shikojë, që kujdestarja është shok a shoqe e babit dhe mamit e të ndjejë siguri tek ai person. Psikologët rekomandojnë që kur e merr fëmijën në kopsht ose në çerdhe, nuk është mirë ta përqafosh apo puthësh, sepse fëmija thotë me vete se çfarë ka ndodhur që duheshka kaq shumë dashuri. Fillimisht duhet ta pyesësh si kaloi dhe në shtëpi mund ta përqafosh. Çerdhja ose kopshti e socializon fëmijën.